Sfida e buxhetit 2012, borxhi publik, qeveria me skenar rezervë
Buxheti 3 miliardë eurosh që prezantoi qeveria në Kuvend, është kontestuar për treguesit që kanë lidhje me rimëkëmbjen ekonomike, varfërinë, buxhetin e pushtetit lokal, për treguesit makroekonomike, borxhin, deficitin e buxhetin dhe inflacionin. Qeveria ka gati edhe ka gati edhe një skenar rezervë
Projektbuxheti i vitit 2012 ka kaluar dje në një seancë maratonë diskutimesh dhe replikash, të cilat më shumë kanë qenë ironi ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës, sesa një diskutim mbi shifrat e buxhetit dhe efektet e tij mbi ekonominë e familjeve shqiptare. Buxheti 3 miliardë eurosh që prezantoi qeveria në Kuvend, është kontestuar për treguesit që kanë lidhje me rimëkëmbjen ekonomike, varfërinë, buxhetin e pushtetit lokal, për treguesit makroekonomike, borxhin, deficitin e buxhetin dhe inflacionin ka zënë pak vend në diskutime. Mirëpo disa nga ekspertët e ekonomisë të opozitës dominuan diskutimet mbi rrezikun që do ti kanoste ekonomisë dhe buxhetit nga borxhet. “Vendi ynë regjistrohet si vendi me borxhin më të lartë në rajon. Vota ime për pr/ligjin do të jetë kundër jo si draft, por kundër dështimit që parashikohet me këtë buxhet. Ne nuk jemi kundër një buxheti të shtetit, por kundër dështimit në thelb, pasi ju dështuat dhe në vitin 2011. Ju për të mbijetuar politikisht, keni vërtetuar se shkatërroni çdo gjë, edhe financat. Ndaj nuk bashkohemi me këtë qëllim”, - tha Malaj. Sipas tij, ne kemi borxhin më të lartë në rajon me 60% të PBB-së, ndërsa mesatarja e rajonit është 38,6 %. “Ne e kemi borxhin 2 herë më shumë se mesatarja e rajonit. Kriza rrit vështirësitë e huamarrjes dhe gjithashtu rrit koston e saj. Efektet sociale do të jenë të ndjeshme. Vendet e rajonit mund të investojnë pa prekur ekonominë, kurse ne nuk mundemi. Opozita është kundër këtij buxheti që godet sipërmarrjen e lirë private, që ka 80% të investimit dhe 100% të vendeve të punës. Të parandalojmë përkeqësimin e ekonomisë dhe shkurtimin e fondeve në fushat prioritare”, – tha Malaj. Buxheti i vitit që vjen është në total 390 miliardë lekë, 41 nga të cilat janë deficit buxhetor dhe rreth 355 miliardë lekë do të mblidhen nga tatimet dhe taksat. Ndërsa deputeti demokrat, kryetar i komisionit të Ekonomisë, theksoi se synimi i pr/buxhetit për vitin 2012, janë ruajtja e stabilitetit makroekonomik, inflacioni në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 %, si dhe një rritje ekonomike rreth 4.3 %. Spaho deklaroi se opozita ka kundërshtuar p/buxhetin e shtetit, duke argumentuar votën kundër me faktin se borxhi publik përbën një rrezik për ekonominë. Gjatë prezantimit në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit, ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se p/buxheti i shtetit për vitin 2012 synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, inflacionin në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %. "Projektbuxheti i shtetit për vitin 2012 bazohet në disa shtylla dhe në një analizë realiste të ecurisë së zhvillimeve gjatë periudhës së krizës ekonomike globale, bazohet në tendencën e fundit dhe pritshmërinë për vitin 2012 që vendet e eurozonës programojnë", deklaroi Bode. Sipas tij, për shkak të krizës globale 2009-2011 ekonomia shqiptare ka ndjerë presionet e pandërprera të krizës më të thellë prej më se një shekulli. Ai theksoi se p/buxheti do të mbështesë edhe politikat e qeverisë, rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet në infrastrukturë, duke bërë të mundur zhvillimin ekonomik. "Përtej këtij presioni, ekonomia shqiptare ka mundur të ruajë parametrat e saj në nivele të kënaqshme. Vijoi të rritej me një rritje mbi 3 % kundrejt një rritje mesatare në Europën Qendrore dhe Lindore prej 0 %", - tha kreu i financave publike. Ndërkohë që Ministria e Financave edhe për vitin 2012 do të operojë me disa skenarë për buxhetin. Qeveria ka miratuar skenarin optimist ka edhe një skenar rezervë, i cili në rast të mosrealizimit të të ardhurave do të eliminojë një pjesë të shpenzimeve, pa rritur borxhin. Skenari aktual që ka miratuar qeveria për buxhetin 2012 dhe që po diskutohet në Kuvend, parasheh që të ardhurat tatimore të jenë të jenë 8 për qind më të larta se të ardhurat e pritshme të këtij viti.