Qeveria "Berisha" betohet përpara Presidentit
Ministrat Fatmir Mediu dhe Lulzim Basha, përballen në ceremoni me Kryeprokuroren Ina Rama
TIRANË - Kryeministri Berisha dhe 16 ministrat e qeverisë së tij të re janë betuar dje përpara Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Kreu i shteti u dorëzoi dje dekretet e emërimit anëtarëve të Këshillit të ri të Ministrave, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me shtatëdhjetë e katër vota.
Burimet zyrtare të Presidencës pohuan se pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat e kabinetit qeveritar, me dorë mbi Kushtetutë, bënë betimin:
"Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave". Betimi u bë para Presidentit të Republikës, i cili u dorëzoi dekretet e emërimit, duke u uruar njëkohësisht suksese në detyrën e rëndësishme.
Në ceremoninë zyrtare të betimit ishin të ftuar edhe krerët e institucioneve kushtetuese, si dhe personazhe të politikës shqiptare. E veçanta kësaj ceremonie ishte përballja në distancë e Kryeprokurores Ina Rama me dy nga ministrat e hetuar prej saj, Fatmir Mediu dhe Lulzim Basha. Të dy deputetëve u është hequr mandati legjislacionin e kaluar, me kërkesë të firmosur nga Kryeprokurorja.
Por në të dyja rastet ishte gjykata ajo që u dha mundësinë dy ministrave, të akuzuar njëri për tragjedinë e Gërdecit dhe tjetri për vjedhjen e më shumë se 200 milionë eurove, që t'i shpëtonin gjyqit. Për të dy u gjet një zgjidhje procedurale që pezullonte shqyrtimin e çështjes pa nisur ende gjyqi.