Rehn-Berishës: Bashkëpuno me opozitën
"I takon Shqipërisë të tregojë aftësinë e saj, duke përmirësuar shtetin ligjor dhe fuqizimin e institucioneve"
Drejtuesit më të lartë të Bashkimit Evropian kanë përshëndetur qeverinë e re të Kryeministrit Berisha, ndërsa kanë kërkuar prej tij që të bashkëpunojë me opozitën.
Në dy letra të ndryshme urimi, Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barrozo dhe Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Olli Rehn, kanë vlerësuar qeverinë e re, ndërsa i kanë premtuar asaj mbështetje në sfidat që e presin në kuadër të integrimit europian.
"Tani që ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe vendi juaj ka aplikuar për anëtarësim në BE, Komisioni Evropian beson se qeveria Juaj do të tregoj vendosmëri në përmbushjen e sfidave drejt integrimit evropian, veçanërisht në forcimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve demokratike", - shprehet nder të tjera kreu i Komisionit Europian, Barrozo.
Por më i drejtpërdrejtë dhe më kërkues në mesazhin e tij ka qenë komisioneri i Zgjerimit, Olli Rehn, i cili megjithëse në një mesazh urimi, nuk ka nguruar të vërë gishtin mbi disa nga problemet që duhet të zgjidhë vendi ynë dhe për të cilat ai ka kërkuar bashkëpunimin institucional mes mazhorancës dhe opozitës.
"Tani që zgjedhjet u përmbyllën, në përputhje më pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së, përpara keni sfida të rëndësishme, në mënyrë që të përparohet me agjendën e reformave.
Parlamenti dhe Kryeministri kanë një rol thelbësor në këtë kontekst. Ju inkurajoj Ju, i dashur z. Kryeministër, si edhe qeverinë tuaj të re, të punoni së bashku me opozitën në Parlament, në çuarjen përpara të agjendës së reformave europiane.
Shpresoj që të gjithë liderët politikë të sigurojnë zhvillimin e një dialogu politik konstruktiv, në mbështetje të këtyre reformave. Pres që ky dialog i rivendosur të reflektohet në zgjedhjet e ardhshme, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së", - shprehet Rehn në letrën e vet.
Gjithashtu, ai i ka vënë dhe detyra të qarta klasës politike shqiptare dhe në veçanti qeverisë së re për të bërë të mundur arritjen e kritereve që do të afronin vendin tonë me familjen e madhe europiane. "I takon Shqipërisë të tregojë aftësinë e saj në kalimin në fazën tjetër të integrimit në BE, në veçanti duke përmirësuar shtetin ligjor dhe fuqizimin e institucioneve demokratike.
Sigurimi i pavarësisë së gjyqësorit, rritja e aftësisë administrative dhe vazhdimi i implementimit të mirë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, janë elementë të rëndësishëm për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët, afrimin e Shqipërisë me Europën", - thekson Rehn, duke mbyllur letrën e vet.