Socialistët bojkotojnë seancën e parë
Aristir Lumezi
Deputetët socialistë nuk do të jenë sot në Kuvend. Dje pasdite është mbledhur në selinë e PS-së grupi i punës, i mandatuar nga grupi parlamentar, i cili do të përcaktojë përveç kushteve edhe modalitet se si socialistët do të lenë bojkotin dhe do të hynë në Parlament. Grupi i përbërë nga Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko i kryesuar nga kryetari në detyrë Edi Rama pritet të mblidhet sërish sot për të konkluduar nëse do të ketë një deklaratë nga PS drejtuar Parlamentit, përmes së cilës vihet në dijeni për vendimin e mos hyrjes në seancë deri në plotësimin e tetë kushteve të vëna nga socialistët. Nuk përjashtohet mundësia që kjo deklaratë të lexohet në Kuvend nga ish-kryetari i grupit parlamentar Pandeli Majko, por kjo mbetet për t’u vendosur sot në mbledhjen e paradites, pas së cilës do të informohet i gjithë grupi parlamentar për vendimin e marrë. Grupi i punës u hodh si propozim i kryetarit socialist në detyrë Edi Rama në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar ditën e shtunë. Mësohet gjithashtu se deklaratës së miratuar nga kryesia socialiste, në të cilën përcaktohet kushtet pse PS merr vendimin e bojkotit, i janë bërë disa korrigjime, ku specifikohen më mirë kërkesat e tyre përballë maxhorancës dhe qeverisë. Pritet që pas takimit të paradites së grupit të punës, të ketë një komunikim me mediat për të shpallur qëndrimin final të socialistëve për marrëdhënien e tyre me Parlamentin. Burime nga selia rozë pohojnë se deputetët socialistë mund të shkojnë në Parlament vetëm ditën e konfirmimit të mandateve të deputetëve, seancë që pritet të zhvillohet javën e ardhshme. Kushti i parë i socialistëve është zbardhja e krimit elektoral, siç e quajnë ata votimin dhe administrimin e votës së 28 qershorit. Për këtë qëllim ata kërkojnë një hetim parlamentar, ku maxhoranca të mos përfshihet në miratimin e këtij komisioni. Gjithashtu, një tjetër kusht i socialistëve përballë maxhorancës, është dhe verifikimin e të gjithë atyre drejtuesve të institucioneve të maxhorancës që kanë vënë në funksion të fushatës dhe votimit asetet publike për të favorizuar PD-në dhe aleatët e saj në fushatën elektorale që sapo u mbyll. Gjithashtu, socialistët kërkojnë ndryshime në ligjin që rregullojnë mirëfunksionimin e Radio Televizionit Publik Shqiptar dhe KKRT. Në mënyrë të papritur, një nga kushtet që socialistët i vendosin maxhorancës është dhe zbardhja e vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi, duke i kërkuar Qeverisë të garantojë transparencë të plotë për procesin hetimor të vrasjes së tij dhe nxjerrjen e autorëve përpara drejtësisë.