E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, 2000 familje pa certifikata pronësie

10/08/2009  Ankesat në bashki, dokumentet u dogjën në ’97-ën. Specialistët: Zgjidhje e vetme, gjykata

FIER- Shtohet numri i qytetarëve dhe dosjeve të tyre të cilët ankohen pranë Bashkisë Fier, që nuk kanë një dokument pronësie për pronën e tyre, megjithëse e zotërojnë atë prej më shumë se 15 vjetësh. Kryesisht këto prona janë shtëpi ose truall, të cilët nuk kanë dokument pronësie. Deri tani numërohen 1800-2000 ankesa të drejtuara Bashkisë Fier nga familjet të cilat janë prekur nga mosekzistenca e dokumentacionit të privatizimit si dhe certifikatës së pronësisë.

Ankesat

Sipas informacionit të departamentit juridik të Bashkisë e gjithë kjo situatë ka ndodhur prej kalimit të procesit të privatizimit nga Enti i Banesave, pushtetit vendor dhe në rastin konkret Bashkisë Fier dhe gjatë viteve 1996-1997 janë përfshirë këto dokumentacione nga flakët gjatë trazirave të këtyre viteve dhe nuk ka asnjë informacion për pronësinë e këtyre familjeve. Ky problem është trashëguar prej më shumë se 1 dekadë për këto familje, duke ndeshur një problem tepër të madh, pasi jo vetëm nuk kanë në dorë vërtetësinë e pronës së tyre, por edhe nuk munden të kryejnë transaksione me këtë pronë për ta shitur.

Zgjidhja

Duke iu referuar sërish departamentit juridik të Bashkisë Fier, ekziston një rrugë e vetme për zgjidhjen e këtij problemi që parashikohet edhe në kodin civil. Privatizimi i pronave të këtyre familjeve që në rastin konkret janë banesat e tyre dhe tokat truall, zgjidhen me çështjen ligjore, pra këto familje duhet ti drejtohen Gjykatës për zgjidhjen e pronësisë me paraqitjen e dëshmitarëve që gjendjen pranë familjeve të tyre, për të vërtetuar ekzistencën dhe kufizimet e këtyre pronave në vite. Këto prona janë të shpërndara me këtë problem në të 4 rajonet e Bashkisë Fier, dhe rreth 40% e tyre janë të detyruar të bëjnë vetdeklarime për të përfituar nga procesi i legalizimeve.

Procesi

Legalizimet, 300 familje marrin tapinë

Shkon në 300 numri i lejeve dhe legalizimeve nga agjencia e legalizimit të ndërtimeve pa leje në qarkun Fier. Sipas drejtuesit të agjencisë Edmond Numani procesi i dhënies së lejeve dhe legalizimeve për çdo periudhë njeh zhvillimeve të reja jo vetëm në njohjen e legalizimeve, por edhe në hipotekimin e objekteve. Veç të dhënave mbi lejen e legalizimeve, numri i azhurnimeve dhe përgatitjes së dosjeve shkon në 1200 që më pas kalojnë në dhënien e lejeve për qytetarët. Është rritur jo vetëm interesi i tyre, por edhe pagimi për të bërë tërësisht pronë të tyre, ato ndërtime që më parë quheshin pa leje. “Ka arritur në 300 numri i lejeve dhe legalizimeve për ndërtimet pa leje në qarkun Fier-ka pohuar Numani, por ky proces sa vjen e rritet, përditë numri i dosjeve është në rritje. Përgatiten këto dosje dhe më pas jepen për hipotekim. Janë 5000 objekte pa leje në qytetin e Fierit, rreth 3000 objekte në qytetin e Lushnjës. Në qytetin e Fierit, është bërë një punë kolosale deri në aktin përfundimtar, hipotekën”. Procesi i legalizimeve është shtrirë në të gjithë territorin e qarkut Fier, përfshirë komunat dhe fshatrat ku ecuria dhe përfundimi i procesit varet mbi të gjitha nga shlyerja dhe detyrimi I këtij procesi nga qytetarët. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›