Qeveria “Berisha” u kërkon ndërtuesve të zbusin çmimet e shitjes së apartamenteve të reja

TIRANE - Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, u bëri thirrje dje shoqatës së ndërtuesve të Shqipërisë që të heqin dorë nga çmimet stratosferike të shitjes së apartamenteve. Olldashi deklaroi se qeveria e konsideron sektorin e ndërtimit si një nga motorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të vendit dhe se sipas tij, për këtë arsye ka marrë, po merr, do të vazhdojë të ndërmarrë politika në dobi të konsolidimit të mëtejshëm të këtij sektori vital për ekonominë e vendit.
“Për të ndihmuar sektorin e ndërtimit, qeveria aktuale shfuqizoi marrëveshjet e trashëguara nga qeveritë e mëparshme dhe hoqi aplikimin e TVSH-së për shitjet, por qeveria e fton sektorin e ndërtimit që të heqë dorë nga çmimet stratosferike të shitjes dhe të aplikojë çmime me një normë fitimi të arsyeshme”, u shpreh Olldashi.
Ai vuri në dukje se për të ndihmuar sektorin e ndërtimit, qeveria po përgatit kuadrin administrativ për mbulimin 100% të interesave të kredive për 6000 apartamente, 3200 të destinuara për familjet që banojnë të apartamentet e ish pronarëve dhe pjesa tjetër për familjet që kanë statusin e të pastrehut si dhe po aplikon programin e banesave sociale me qira për 1100 apartamente, program që është në vazhdim.
“Një ndihmë e konsiderueshme dhënë për sektorin e ndërtimit është rritja më së paku me 8 herë krahasuar me qeveritë e mëparshme e financimeve për punët publike në infrastrukturë. Jo vetëm kaq por rritja e pragut për tenderët ndërkombëtar nga 200 milionë ku e gjetëm në 1 miliardë e 200 millionë është një ndihmesë e madhe për sektorin e ndërtimit sikurse dhe vlerësim i kapaciteteve të këtij sektori për të kryer punë”, tha më tej ministri i Punëve Publike.
Sipas ministrit Olldashi, të gjitha këto masa janë mjaft favorizuese për sektorin e ndërtimit, por i bëri thirrje ndërtuesve, duke përjashtuar ata të infrastrukturës, por ata të apartamenteve, që të rishikojnë çmimet e tyre të shitjes të cilat duhet të jenë më të arsyeshme për të qenë më afër mundësive të qytetarëve.