Qeveria: Financues të terrorizmit, bashkëpunëtorët me talebanët dhe Al Kaedan

Tiranë, 1 shtator, NOA Ashtu siç Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka listuar bashkëpunëtorët me talebanët dhe Al Kaedan si persona të dyshuar për financimin e terrorizmit, edhe qeveria shqiptare e ka cilësuar si të tillë këtë kategori.
Përmes një vendimi të posaçëm të marrë në mbledhjen e sotme te qeverisë, ajo ka amenduar ligjin e nxjerrë në vitin 2004, Për masat kundër financimit të terrorizmit, duke shtuar në listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit bashkëpunëtorë me talebanët dhe ata me organizatën AI-Kaeda.
Një gjë e tillë është bërë sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues të rrjeteve të errëta në Lindjen e Mesme.
Ata shtohen në lidhje me listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat dhe kompanitë, që kanë lidhje me talebanët dhe Al Kaedan si dhe personat, organizatat dhe kompanitë të cilat rezultojnë si financuese apo që ndihmojnë terroristët dhe organizatat terroriste, thuhet në vendimin përkatës.
n.e/NOA