E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgaj: Policët, mos ta përdorin uniformën e tyre jashtë shërbimit

Tiranë, 1 shtator, NOA Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, kërkoi shmangien e përdorimit të uniformës në mjedise publike jashtë shërbimit nga ana e punonjësve të policisë, gjatë një takimi me efektivat e komisariateve 1, 4 dhe 6 të Tiranës, si dhe me rrugorët e kryeqytetit.

Qëllimi i këtyre takimeve të nisura sot nga kreu i Policisë, ishte evidentimi i përparësive, objektivave, por dhe problemeve që duhen pasur parasysh në të ardhmen nga strukturat e komisariateve të policisë, në drejtim të luftës kundër krimit dhe sigurimin e rendit dhe qetësisë.

Gjatë fjalës së tij, Burgaj vlerësoi efektivat për punën e mirë, përkushtimin e treguar dhe rezultatet e arritura për të siguruar rendin e qetësinë publike në territoret që ata mbulojnë.

Më tej, ai kërkoi rritjen e mëtejshme të performancës policore në mënyrë që ndryshimet e fundit të bëra në strukturat e Policisë së Shtetit të japin një impakt më të drejtpërdrejtë tek qytetarët dhe të ndryshohet njëherë e mirë imazhi i modelit të vjetër të efektivit të policisë.

Ndërkaq, gjatë këtyre takimeve, Burgaj kërkoi të punohej më tepër në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve si dhe në rritjen e gatishmërisë për tu ardhur në ndihmë qytetarëve nga çdo punonjës policie.

Do të merren masa për hartimin e formularëve tip të kallëzimeve penale nga ana e qytetarëve, që këto kallëzime të merren kudo, qoftë edhe në rrugë nga efektivat e patrullave të përgjithshme, në mënyrë që të lehtësohet shërbimi ndaj qytetarëve për të kryer një kallëzim penal, tha ai.

Ndër të tjera, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vuri theksin në prezantimin sa më dinjitoz të punonjësit të policisë para qytetarëve si dhe përdorimin e një komunikimi sa më etik të tyre gjatë shërbimit me qytetarët, duke theksuar se do të nisë procedimi disiplinor ndaj punonjësve të policisë për çdo abuzim të konstatuar në këtë drejtim.

n.e/NOA

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›