E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Kërkesa e FMN për sigurimet, të ekzagjeruara

Nga Genc Kondi
Acarohen marrëdhëniet me Fondin. Zv/ministri i Financave Sherefedin Shehu deklaroi dje para Komisionit të Ekonomisë se është kundër propozimeve të FMN për të ulur kontributet për sigurimet shoqërore. 

TIRANE-Pas deklaratave të zëvendësministrit të Financave, Sherefedin Shehu, të bëra dje në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, qeveria 'Berisha' duket se ka marrë vendim përfundimtar për t'u dhënë fund marrëdhënieve aktuale me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Zyrtari i lartë i Financave ka deklaruar para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se sugjerimet, që bën FMN-ja në adresë të uljes, së planifikuar qeveritare, të kontributeve për sigurimet shoqërore, janë të ekzagjeruara dhe jorealiste. Komisioni miratoi me shumicë votash të hënën në parim Projektbuxhetin e Shtetit për vitin 2009. Sipas zëvendësministrit Shehu, projektbuxheti, përveçse garanton një stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik në vend, jep edhe marzhe sigurie, duke qenë se përballemi me një vit, ku në të gjithë botën ka krizë financiare. "Ky buxhet synon të konsolidojë më tej stabilitetin makroekonomik të vendit përtej zhvillimeve që ka pasur ekonomia botërore, ndërsa ne mbetemi një vend me një stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik, për sa i takon rritjes ekonomike, nivelit të inflacionit, kursit të këmbimit, bilanceve të tjera që kanë të bëjnë me tregtinë ndërkombëtare dhe nivelit të papunësisë", theksoi ai.
Pensionet
Sipas Shehut, në Projektbuxhetin e Shtetit 2009 janë parashikuar edhe dy reforma thelbësore në sektorë prioritarë si ai i arsimit dhe shëndetësisë. Por, asnjë reformë nuk është parashikuar ende për sektorin jetik të pensioneve. Kjo ka qenë një kërkesë e hershme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekspertëve të të cilit u rezulton që mosha mesatare e popullsisë së Shqipërisë sa vjen e rritet. Ndërkohë, vazhdimisht administrata shtetërore ka pasur probleme me grumbullimin e të ardhurave të nevojshme për të përballuar fondin e pensioneve. Në një kohë kur skema e pensioneve private nuk po zë vend në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera, ku është shumë e përhapur, sugjerimi i ndërkombëtarëve ka qenë ai i rritjes së sasisë dhe normës së kontributeve të sigurimeve shoqërore të punonjësve, për të shmangur ndonjë falimentim financiar të arkës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Por qeveria 'Berisha' duket e vendosur, jo vetëm të ulë këtë kontribut, sikurse u shpreh zëvendësministri i Financave, por edhe të rritë pensionet në fshat e qytet. Kjo do të kërkonte një fond shtesë buxhetor prej 4 miliardë lekësh të reja, që Financat mendojnë se mund t'i sigurojnë nga kontributet. Por, nisur nga rezultatet ndër vite, kontributet mendohet se do të vazhdojnë të mos plotësojnë nevojat për shpenzime gjithnjë e më të mëdha për sigurime shoqërore, duke krijuar ndonjë pikë të papërballueshme për arkën e shtetit. Megjithatë, sipas Shehut, situata financiare është në kontroll dhe nuk ka arsye për t'u shqetësuar.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›