E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikohen 10 familje ne nje pallat ne Vlorë

Shembja e pallatit pesëkatësh në Gjirokastër, alarmon Vlorën. Banorët e pallatit nr. 1149, në lagjen "29 Nëntori" të qytetit të Vlorës, të cilët prej katër vjetësh ankohen se pallati mund të shembet, kanë ngritur zërin fort, pasi kanë parë ç‘ndodhi në Gjirokastër.

Pallati është katërkatësh dhe në të jetojnë dhjetë familje. Shkak për çarjen e pallatit është bërë një ndërtim i ri, i miratuar në vitin 2003, i cili është ndërtuar fare pranë pallatit ekzistues, ndërtim ky i vitit 1979.

Pallati i ri tetëkatësh, ka bërë që në fillimet e punimeve të nisin çarjet në muret e pallatit katërkatësh. Me gjithë ankesat e vazhdueshme të banorëve të këtij pallati, ende nuk është dhënë një zgjidhje, e cila do të hiqte rrezikun e frikën nga këta banorë, të cilët çdo natë flenë me ankthin se të nesërmen gjithçka do të jetë shembur.

Kanë kaluar madje edhe në procese gjyqësore, të cilat më pas i kanë mbyllur, pasi janë bindur se nuk do ta gjenin të drejtën as në gjykatë.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpetim Gjika urdhëroi shqyrtimin me prioritet të ankesave të banorëve të pallatit. "Kam nisur një grup pune, i cili ka kontrolluar gjendjen në qytet. Duhet të sqaroj se objekti që është ndërtuar aty pranë, lejen e ndërtimit e ka marrë më 23.06.2003, kohë kur unë nuk kam qenë në krye të Bashkisë së Vlorës", tha Gjika, duke shtuar se ai ka ngritur që në vitin 2005 një komision për inspektimin e pallatit dhe ka propozuar disa masa, që nuk janë miratuar nga Këshilli Bashkiak, por as nga qeveria, të cilës i është kërkuar fond i posaçëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›