E Diel, 1 Nëntor 2026

Tropojë, gjakderdhja që nisi pas një sherri në bilardo

Nga Artan Hoxha
Ngjarja e së dielës, në mes të ditës dhe shumë afër qëndrës së Bajram Currit, riktheu dhe njëherë ditët e pasigurisë e terrorit që mbajtën peng Tropojën për një dekadë me radhë. 

TROPOJE- Mjekët e spitalit të Bajram Currit as që e kanë marrë mundimin ti ofrojnë ndihmën e parë Sadri Metalisë, pasi trupi i tij ishte bërë shosh nga plumbat e kallashnikovit duke marrë 31 plagë vdekjeprurëse. Autori i krimit, Astrit Breçani nuk i ka kursyer plumbat për djalin e madh të familjes Metalia nga fshati Dragobi i Tropojës. Ekspozimi i ish-drejtorit të KESH-it Sadri Metalia në rrugët e Bajram Currit, gjatë javëve të fundit, është marrë si shenjë karshillëku nga vëllezërit e ish-policit të vrarë Tahir Breçani. Metalia qëndroi për afro 3 vjet i ngujuar në kullën e fortifikuar të familjes së tij në Dragobi, por për tipin që kishte nuk mund ti rezistonte gjatë një situate të tillë. Ngjarja e së dielës, në mes të ditës dhe shumë afër qëndrës së Bajram Currit, riktheu dhe njëherë ditët e pasigurisë e terrorit që mbajtën peng Tropojën për një dekadë me radhë. Për më tepër viktima ishte një personazh i njohur në Tropojë, jo vetëm pse kishte punuar si drejtor i KESH-it në kohët më të vështira, por edhe pse njihej si një militant i flaktë i të majtës në veri të vendit. Ai mbahet mend në Tropojë si një nga njerëzit që kundërshtoi publikisht mitingun e parë që kryeministri aktual Sali Berisha, bëri në vendlindjen e tij, në vitin 1991. Metalia u shfaq haptazi bashkë me një grup personash të tjetër mbështetës të së majtës, duke hedhur parrulla kundër liderit të PD-së, madje gati u konfliktua fizikisht me shoqëruesit e tij.
Drejtori
Për shkak të bindjeve të majta dhe lidhjeve me personat më të fuqishëm që morën pushtetin në rrethin e Tropojës pas trazirave të vitit 1997, Sadri Metalia u emërua në detyrën e drejtorit të KESH-it. Në fundin e viteve ’90, Metalia njihej në Tropojë si një nga personat që mbështesnin Haklajt, madje ai cilësohej se ishte vendosur në detyrë e drejtorit të KESH-it, për shkak të ndërhyrjes direkte të Fatmir Haklajt. Ai qëndronte vazhdimisht i armatosur gjatë luftës së Kosovës, por asnjëherë nuk është skeduar si kontigjent kriminal i policisë. Sadri Metalia u bë i njohur për opinionin e vendit kur u shfaq gjatë emisionit investigativ “Xhungël” që transmetohet në NEËS 24, duke u përqafuar dhe biseduar me njeriun më të fuqishëm në veri të vendit, Fatmir Haklaj. Për Haklajt Sadri Metalia, nuk kishte qenë kurrë krahu i djathtë i Fatmirit, madje ai kishte përfituar shpesh herë duke përdorur emrin e tij dhe njohjen personale me të. Në të vërtetë Sadri Metalia është nip në lagjen Haklaj të fshatit Kërnajë, por jo te Fatmir Haklaj. Ai është nip te kushërinj të familjes Haklaj, që mbajnë të njëjtin mbiemër, banojnë në të njëjtin fshat, por që nuk janë përfshirë në atë që njihet si “Dosja Tropoja”.
Konflikti
Një Haklaj, kushëriri i Sadri Metalisë, u bë shkak për konfliktin që nisi me familjes Metalia nga Dragobia dhe familjes Breçani nga fshati Markaj. Në pranverën e vitit 2005, P.Haklaj u konfliktua në një bilardo të qytetit me Sali Breçanin djalin e madh të familjes Breçani, duke e goditur fizikisht këtë të fundit. Disa ditë më pas vëllezërit e vegjël të Sali Breçanit, ia kthyen borxhin mësuesit P.Haklaj, duke e rrahur në një lokal të Bajram Currit. Mësuesi P.Haklaj ishte dajë i vëllezërve Metalia, të cilët nuk e harruan konfliktin. Dy javë më vonë, më 24 maj 2005, vëllai i Breçanëve, ish-polici Tahir Breçani ishte duke dalë nga një bilardo në qëndër të qytetit kur është ndeshur përballë me dy prej vëllezërve Metalia, Ilirin dhe Shkëlzenin. Të dy palët kanë shkëmbyer fyerje mes tyre dhe më pas ish-polici 40 vjeçar, Tahir Breçani u qëllua 7 herë me pistoletë duke gjetur vdekjen. Vëllai i viktimës 35-vjeçari, Astrit Breçani, u betua se do ta merrte ai hakun e vëllait. Një gjë të tillë tentoi ta bënte disa herë deri sa ia arriti qëllimit mesditën e të dielës edhe pse ishte në arrest shtëpia nga gjykata e Tropojës. Pas atentatit të tre viteve më parë, vëllezërit Ilir, Shkëlzen dhe Sadri Metalia u ngujuan në kullën e tyre në fshatin Dragobi për ti shpëtuar hakmarrjes. Ata e fortifikuan me mure të larta kullën, gati njëlloj si kulla e Haklajve në fshatin Kërnajë. Disa kohë ata vendosën deri dhe postbllok në rrugën Shoshan-Valbon që kalon pranë kullës së tyre ku kryenin dhe kontrollin e të gjitha makinave të panjohura që kalonin në këtë aks rrugor. Vrasja e të dielës nuk pritet ndalojë hakmarrjen mes të dyja familjeve, pasi njëri prej vëllezërve të Sadri Metalisë, Iliri, ndodhet në burg i dënuar për vrasjen e Tahir Breçanit, ndërsa dy vëllezërit e tjerë janë të lirë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›