E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Likuidoni të larguarit nga puna

TIRANE- Përmes një vendimi të djeshëm, Këshilli i Ministrave autorizon Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës të pakësojë fondet e pagave e sigurimeve në disa programe, për të paguar punonjësit e larguar nga puna, që kanë fituar çështjet në gjykata. Me kërkesën e ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave autorizon këtë institucion të grumbullojë një fond total prej 14 milionë lekësh, i cili do të përdoret për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. 

FONDET 
Vendimi i qeverisë autorizon METE-n që në programin “Mbështetje për zhvillim ekonomik”, në zërin “Pagat”, pakësohet fondi në shumën 8 700 000 lekë, ndërsa në zërin “Sigurime shoqërore” pakësohet fondi në shumën 1 000 000 lekë; në programin “Mbështetje për energjinë”, në zërin “Pagat”, pakësohet fondi në shumën 400 000 lekë, ndërsa në zërin “Sigurime shoqërore” pakësohet në shumën 400 000 lekë; në programin “Mbështetje për mbikëqyrjen e tregut, infrastrukturë cilësie dhe pronësi industriale”, në zërin “Paga”, pakësohet fondi në shumën 500 000 (pesëqind mijë) lekë. Po ashtu, fondet e lira në programin “Mbështetje për zhvillim ekonomik”, në zërin “Shpenzime operative”, në QKL, prej 3 000 000 lekësh të transferohen në programin “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, për mbulimin e shpenzimeve për vendimet gjyqësore. “Vlera totale prej 14 000 000 lekësh, sipas pikave 1 dhe 2, të përdoret për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke shlyer pagesat përkatëse” përcakton vendimi i qeverisë. 

PUSHIMET NGA PUNA 
Të larguarit nga puna në mënyrë arbitrare janë një kosto më vete për buxhetin e shtetit, duke qenë se ata përfitojnë së paku një rrogë vjetore. Numri i tyre është shtuar ndjeshëm veçanërisht gjatë muajve që i paraprinë fushatës zgjedhore të këtij viti. Vetëm gjatë 5 muajve të parë të vitit 2013 në gjykatë janë regjistruar 829 padi të tilla, ku një pjesë e vogël janë përfunduar së shqyrtuari, ndërsa pjesa tjetër është ende në gjykim. Afërsisht 5 persona të ditë i janë drejtuar gjyqësorit, për largim të padrejtë nga puna për ketë periudhë. Po ashtu, edhe Komisioni i Shërbimit Civil ka qenë veçanërisht i ngarkuar në fazën parazgjedhore. Së paku 175 nëpunës të administratës shtetërore i janë drejtuar këtij institucioni duke nisur nga muaji mars për të kundërshtuar largimin nga puna. Komisioni i Shërbimit Civil është institucioni që ka në kompetencë mbikëqyrjen e menaxhimit të shërbimit civil në të gjitha institucionet që hyjnë në fushën e veprimit të ligjit “Statusi Nëpunësit Civil”. Është organi administrativ që ngarkohet nga ligji të zgjidhë ankesat ndaj vendimeve në lidhje me pranimin, periudhën e provës, ngritjen në detyrë, lëvizjen paralele, vlerësimin, masat disiplinore dhe të drejtat e nëpunësit civil. Vetë Komisioni i Shërbimit Civil ka deklaruar disa herë se institucionet nuk marrin parasysh vendimet e tij për të rikthyer punonjësit e larguar në mënyrë të padrejtë, shkak për të cilin këta të fundit u drejtohen në masë gjykatave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›