E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja vuan me Paraguain dhe gjen Gjermaninë



Spanja është gjysmë finalistja e katërt e këtij Botërori. Skuadra iberike mundi minimalisht me gola të David Vilës Paraguain dhe do të ndeshet pas tre ditësh me Gjermaninë e Joakim Lëvit. Duhet theksuar se për spanjollët kalimi në gjysmëfinale nuk ka qenë aspak i lehtë aq sa rrezikuan seriozisht që të largoheshin madje edhe para kohe nga ky Botëror. Protagonist u bë në një farë mënyre edhe gjyqtari Batres, i cili dha në harkun e dy minutave dy penallti, nga një për secilën skuadër. Në fillim Kardozo gaboi për latino-amerikanët dhe në vijim të aksionit të radhës David Vila u rrëzua në zonë duke marr një penallti për Spanjën. Nga pika e bardhë gjuan Ksavi Alonso duke shënuar por arbitri e anulon golin duke e përsëritur sërish 11-metërshin. Gjuan sërish Alonso dhe këtë herë portieri Vilar arrin të presë gjuajtjen duke e bërë shumë më emocionuese këtë ndeshje.
Në minutat në vazhdim trajner Del Boske zëvendësoi si Fernando Torresin dhe Ksabi Alonson me Pedro Rodriguezin dhe Fabregasin duke i dhënë më shumë freski sulmit. Ndryshimet sollën edhe golin e vetëm të takimit kur një asist i Fabregasit gjeti të lirë David Vilën në zonë, i cili shënoi duke e çuar Spanjën në gjysmëfinale aty ku e pret Gjermania. Protagonisti i ndeshjes sipas FIFA-s ishte Andres Inista, i cili ka qenë edhe inspiruesi i të gjitha sulmeve të Spanjës. Në fakt lojën e fantazistit të Barcelonës e vlerësoi edhe trajneri i iberikëve në përfundim të ndeshjes. “Ishte e rëndësishme që të fitonim dhe të kualifikoheshim. Pashë disa probleme të vogla te skuadra që do të mundohemi t’i përmirësojmë në ditët në vazhdim për të qenë sa më të qartë në ndeshjen ndaj Gjermanisë”, ka pohuar tekniku. Ndërsa, trajneri i Paraguait Gerardo Martino vlerësoi maksimalisht Botërorin e skuadrës së tij edhe pse u eliminua në ndeshjen e mbrëmjes së djeshme. Për statistikë Spanja me Gjermaninë janë takuar në 20 ndeshje nga ku tetë fitore i përkasin Gjermanisë, gjashtë sfida kanë përfunduar në barazim dhe gjashtë ndeshje të tjera janë fituar nga Spanja. Edhe golavarazhi flet për gjermanët 29 kundrejt 24 golave të shënuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›