E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria Thaçi më e pakorruptuara në rruzull”

Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës (PLK), Gjergj Dedaj, e konsideron Qeverinë e Kosovës si më të pastrën në botë.

Dedaj, i cili është zëvendësministër në këtë qeveri, i bëri këto komente sot në një konferencë për gazetarë, duke folur rreth bastisjeve nga EULEX-i në Ministrinë e Transportit. Ai ka shprehur bindjen në pafajësinë e ministrit Fatmir Limaj.

“Nuk ka vend në botë që nuk ka korrupsion më së paku ka korrupsion në Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës është qeveria më e pa korruptuar në rruzullin tokësor. Këtë e them me përgjegjësi, sepse e them para kamerave, është tjetër gjë që dëshirojnë me na bë të paaftë me na bë të pazot me na denigruar, me na zhvesh prej shtetësisë edhe për me mund të na sundojnë më lehtë”, është shprehur Dedaj, transmeton KosovaPress.

Ndonëse e ka vlerësuar situatën në Republikën e Kosovës si stabile dhe të qëndrueshme, kreu i liberalëve tha se ka tendenca të strukturave paralele serbe për tensionimin e gjendjes në veri, ndërsa i bëri thirrje EULEX-it dhe KFOR-it të mbështesin strategjinë për integrimin e veriut.

Kryetari i PLK-së u ka bërë thirrjeve institucioneve dhe popullit të Kosovës që mos të lejojnë të ketë bisedime me Beogradin, pasi që Serbia ende nuk e ka njohur vendin tonë.

Dedaj ka thënë se nuk duhet të zhvillohen bisedime me Serbinë, pasi që Beogradit për momentin i nevojiten negociata për çështje teknike për të përfituar në liberalizmin e vizave dhe në procesin e integrimit në strukturat e bashkimit Evropian dhe NATO.

“Negociatat me Serbinë të bëhen atëherë kur Serbia të kërkojë falje publike, për atë që ka ndodh në Kosovë, për masakrat që janë bërë ndaj popullatës në Kosovë. Negociata mund të ketë atëherë kur Serbia të zbardhë fatin e personave të pagjetur”, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›