E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Veprim vandal i huliganëve

Nga Express më 04 shtator 2011 në ora 08:32

Qeveria e Kosovës ka reaguar nëpërmjet një njoftimi ndaj sulmit kundër zëvendëskryeministres Edita Tahiri.

Në reagim, Ekzekutivi e quan aksionin e aktivistëve te Vetëvendosjes vandal dhe vepër huliganësh.

“Ky akt është vandal dhe manifestim huliganizmit për qëllim të përfitimit politik”, thuhet në reagim.

Reagimi i Qeverisë është lëshuar të shtunën në mbrëmje, gjashtë orë pas sulmit me domate ndaj veturës së Edita Tahirit, e cila nuk ishte në përcjellje zyrtare të policisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh indinjatën dhe dënon fuqimisht manifestimin e dhunës dhe vandalizmit ndaj zëvendëskryeministres së Qeverisë së Republikës së Kosovës, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës, pas kthimit nga Brukseli. Sulmi, i cili është kryer nga individë të deklaruar si aktivistë të Lëvizjes politike “Vetëvendosje”, është një akt politikisht i papërgjegjshëm dhe në kundërshtim me ligjin.”.

Aty thuhet se Qeveria do të vazhdojë me dialogun me Serbinë, sepse sipas saj, kjo do të çojë në njohjen e Kosovës nga ana e Beogradit.

Ekzekutivi thotë se sundimi i rendit dhe ligjit në Kosovë nuk ka alternativë dhe se “ata që kundërshtojnë këtë, pavarësisht se nga vijnë, nuk do të kenë perspektivë në shtetin e lirë dhe demokratik të Kosovës.”

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›