E Shtunë, 31 Tetor 2026

James lirohet shumë shpejt

James Berisha do të lirohet shumë shpejt. Të paktën kështu thonë zyrtarë të MPJ-së. Sipas zëdhënësit Behrami, kjo ministri i ka dërguar shtetit të Eritreas një letër, ku i ka shpjeguar për misionin fisnik të pilotit. Se lobuesi për Kosovën do të lirohet shpejt, MPJ ka marrë premtime edhe nga Gjermania, Franca dhe Arabia. James Berisha ndodhet në paraburgim që dy javë në shtetin e Eritreas. Nga Lirita Halili më 04 shtator 2011 në ora 08:12

Lobuesi për pavarësinë e Kosovës është mirë. Dy javë pasi James Berisha është zhdukur bashkë me aeroplanin e tij, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka kuptuar që ai është paraburgosur nga autoritetet e Eritreas.

Derisa Berisha po qëndron i mbyllur në njërin prej institucioneve të paraburgimit në këtë shtet, MPJ-ja është duke punuar intensivisht për lirimin e tij.

Artan Behrami, zëdhënës i MPJ-së, thotë se pasi kjo ministri ka kuptuar se lobuesi për njohjen e shtetit kosovar ndodhet në paraburgim, vetë ministri Enver Hoxhaj i ka dërguar një letër shtetit të Eritreas.

Në këtë letër, sipas Behramit, ministri Hoxhaj i ka shpjeguar në detaje Eritreas për punën fisnike që bën James Berisha me aeroplanin e tij. “I kemi shpjeguar këtij shteti në detaje arsyen e fluturimeve që bën James Berisha. Prandaj presim që ai shumë shpejt të lirohet”, tregon Bejrami për Express.

E përveç letrës, zëdhënësi Behrami thotë se MPJ ka kërkuar ndihmë edhe nga shtetet mike të Eritreas, aty ku Berisha është paraburgosur tash e sa ditë. “Kemi paraqitur një kërkesë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Francës dhe atë të Arabisë Saudite, të cilat kanë relacione të mira me Eritrean, me qëllim që të ndihmojnë në lirimin sa më të shpejtë të Jamesit nga izolimi”, sqaron Behrami.

Pavarësisht se lobuesi kosovar ndodhet i izoluar në shtetin eritrean, Artan Behrami thotë se tash për tash e rëndësishme është vetëm një gjë. “Gjendja shëndetësore e James Berishës është e mirë dhe se ai po trajtohet në mënyrë korrekte nga ana e autoriteteve në Eritrea”, pohon zëdhënësi i MPJ, Artan Behrami

Por, edhe përkundër faktit se Berisha është mirë, Behrami thotë se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është duke punuar intensivisht për lirimin sa më të shpejtë të James Berishës, në mënyrë që ai t’i kthehet familjes, bashkëpunëtorëve dhe misionit të tij shumë të çmuar lobues për njohjen e Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë.

“Kemi marrë premtim nga shërbimet diplomatike të shteteve partnere se piloti shqiptaro-amerikan pritet të lirohet nga paraburgimi dhe të rikthehet në Kosovë”, sqaron Behrami.
Arrestimi i James Berishës është bërë pasi autoritetet eritreane e kanë akuzuar atë se ka shkelur në mënyrë të parregullt hapësirën ajrore të këtij shteti. Hera e fundit kur piloti Berisha ka kontaktuar me bashkëpunëtorët e tij në kuadër të misionit “Flying for Kosovo”, ishte 15 gushti. “Nëse nuk lajmërohem deri të mërkurën, duhet ta dini se jam arrestuar në Asmara të Eritresë”, thuhej në letrën që piloti i kishte dërguar miqve të tij.

Sipas pjesëtarëve të ekipit të tij, pasi plani i Berishës për takimin me zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Eritrea nuk u realizua, ata kanë nisur fushatën sensibilizuese për gjetjen e tij. Përveç premtimeve që Berisha do të lirohet shumë shpejt, autoritetet e shtetit eritrean nuk konfirmojnë nëse do të ketë dalje në gjyq të Berishës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›