Qeveria angazhim efiçent, BB ka gati projektin për rehabilitimin total të zonës së përmbytur

Banka Botërore vlerëson punën e qeverisë në përballimin me sukses të emergjencësBanka Botërore e vlerëson si mjaft efiçent menaxhimin nga ana e qeverisë të situatës së emergjencës civile në zonat e prekura nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës.Vlerësimi u shpreh nga Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore Philippe Le Houreou, pas një inspektimi të kryer dje në terren i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha, në zonat e përmbytura në Shkodër nga derdhja e Vaut të Dejës deri në derdhjen e Bunës.“Mora informacionin për situatën dhe mbështetja ime shkon së pari për njerëzit dhe bashkohem me banorët e prekur nga përmbytja . Gjithashtu u informova për situatën e emergjencës. Isha shumë i gëzuar se nuk pati asnjë jetë të humbur. Kjo flet për një menaxhim efiçent të situatës. Unë kam qenë në disa situata emergjente dhe është shumë e vështirë që në një hark të shkurtër kohor të koordinosh, të reagosh ndaj informacioneve. Të koordinosh është një detyrë shumë e vështirë. Dhe qeveria po koordinon në mënyrë shumë eficente”, u shpreh Le Houreou.Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore Philippe Le Houreou shtoi në deklaratën e tij se ndërhyrja e Bankës Botërore fillimisht do të konsistojë në asistencën e një grupi ekspertësh për të vlerësuar dëmet e sektorit privat, qytetarëve , por edhe të aseteve publike.“Pas vlerësimit të kostos do të fillojmë punën për të rigjeneruar dhe për të filluar përsëri aktivitetin rajonal ekonomik”, tha Le Houreou.Ai vuri në dukje se Banka Botërore mund të ndërhyjë me projekte për riparimin e infrastrukturës dhe përforcimin e saj që fatkeqësi të tilla të mos përsëriten më.Ndërkaq, nga ana e tij, ministri i Brendshëm Lulzim Basha falënderoi zv/Presidentin e Bankës Botërore Le Houreou për ofertën e ndihmës që paraqiti në Shkodër për të dërguar një skuadër me ekspertë të Bankës Botërore për vlerësimin e dëmit, duke filluar nga java që vjen, si dhe gatishmërinë për ndërhyrë me financimet e Bankës Botërore në projektet e rehabilitimit total të kësaj zone për ta shndërruar këtë sfidë një mundësi për të përmirësuar edhe më tej të gjithë parametrat e jetës dhe punës në zonën e përmbytur.Pas vëzhgimit në terren Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore Le Houreou zhvilloi edhe një takim në Prefekturën e Shkodrës me Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile që po drejton operacionet në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet. ...