Qeveria angazhohet për zhvillim të qëndrueshëm
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt ka miratuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për periudhën 2012-2014, e cila ka për synim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Ministri i Financave, (MF) Bedri Hamza tha se dokumenti i hartuar është në përputhje me Ligjin mbi menaxhimin e financave dhe përmban strategjinë fiskale të Qeverisë për periudhën e ardhshme trivjeçare.
“Prioritetet e Qeverisë të cilat janë pjesë e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2012-2014, janë objektiva të orientuara drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe bazohen në Programin e Qeverisë 2011-2014”, theksoi Hamza.
Kryeministri Thaçi tha se ky vizion dhe prioritetet për zhvillim ekonomik të Kosovës kanë marrë përkrahje të gjerë edhe jashtë Qeverisë. “Ne planifikojmë të kemi kontakte me komunitetet e biznesit në mënyrë që ky projekt të jetë i familjarizuar. Ky është vizioni për Kosovën evropiane, është një vizion që i ka munguar Kosovës deri tani”, theksoi Thaçi.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për Ratifikimin e Konventës së Këshillit Botëror të Doganave. Përfundimi i procedurave do t’u mundësojë Doganave të Kosovës që kërkesa për anëtarësim në Organizatën Botërore të Doganave të shqyrtohet në sesionin e radhës të qershorit 2012.
Po sot, është miratuar vendimi për aplikimin e normës së Tatimit të Akcizës për Lojëra të Fatit. Sipas këtij vendimi, Ministria e Financave pas konsultimit me ekspertë vendorë dhe të huaj do të propozojë të vilen norma të tatimit të akcizës në Lojëra të Fatit.
Qeveria i ka dhënë dritën e gjelbër projektit për studimin fizibilitetit dhe fillimin e procedurave për analizimin e opsioneve kontraktuese për operim dhe mirëmbajtje të autostradës Vërmicë-Merdar.
“Përgatitja e studimit të arsyeshmërisë për Sistemin e Operimit dhe Mirëmbajtjes në Autostradën R7 Morin – Merdar është i një rëndësie të veçantë pasi që siguron ruajtjen e vlerës së investimeve, ruajtjen e kualitetit të autostradës”, ka thënë ministri Fehmi Mujota.
Po ashtu, është mbështetur propozimi i Ministrisë së Infrastrukturës për fillimin e procedurave për analizën e opsioneve kontraktuese për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.
Kryeministri Thaçi i ka dhënë mbështetje të plotë trasesë së autostradës Vërmicë-Merdar dhe fillimit të procedurave për autostradën Prishtinë – Shkup.