Më shumë ndryshime
Kryetari i Komisionit për ndryshimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami ka shfaqur ambicien e deputetëve për të mos u ndalur me ndryshimet dokumentit më të lartë juridik vetëm te neni i Presidentit.
Ai ka thënë se do të kërkojnë mandat shtesë nga Kuvendi dhe Zyra Civile Ndërkombëtare për Komisionin për ndryshime kushtetuese, ku do të ndryshoheshin edhe pikat e kushtetutës që ka të bëjë me rolin ekzekutiv të pranisë ndërkombëtare.
Këtë deklaratë, Bajrami e ka dhënë të premten në mbledhjen konstituive të Komisionit për ndryshimin e Kushtetutës, në të cilën janë paraqitur idetë fillestare për ndryshimin e Kushtetutës. “Do të shohim mundësinë që disa dispozita të transicionit të ndryshohen, për shkak se Kosova tani është shtet; tani nuk është në pritje të shpalljes së pavarësisë. Është shtet dhe ka mundësi që shumë kompetenca që janë aktualisht duke u ushtruar nga prezenca ndërkombëtare, të barten tek institucionet vendore dhe, në këtë mënyrë, Kosova të fitojë një sovranitet të plotë dhe dalëngadalë të përmbyllet pavarësia e mbikëqyrur”, ka thënë Bajrami.
Edhe pse ishte parashikuar që mbledhjen konstituive ta zhvillojë në të njëjtën kohë edhe Komisioni për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Mbledhja e konstituive e këtij komisioni është shtyrë për javën e ardhshme.
Identifikimi i problemave aktuale, gjetja e zgjidhjeve dhe testimi i zgjedhjeve në debate publike parashikohen të jenë fazat e punës së Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës dhe atij për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.
Edhe pse të dyja komisionet brenda afateve të ndryshme kohore do ta zhvillojnë punën ndarazi, krerët e tyre, Arsim Bajrami dhe Haki Demolli, thanë se janë marrë vesh për një metodikë të ngjashme të punës.
Mandati legal i Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës e detyron atë që brenda nëntë muajve t’i ndryshojë nenet e caktuara të Kushtetutës, për të mundësuar që presidenti i Kosovës të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë.
Kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami ka treguar nenet që do të ndryshohen.
“Do të ndërrohen dispozitat që ia japin të drejtën Kuvendit të Kosovës që ta zgjedhë presidentin dhe ta shkarkojë presidentin, sepse një president i zgjedhur nga populli nuk adreson përgjegjësi kushtetuese te Parlamenti. Gjithashtu do të ndërrojmë edhe dispozitat që kanë të bëjnë me Gjykatën Kushtetuese, sepse një vendim i Gjykatës Kushtetuese për shkeljen eventuale të Kushtetutës nga presidenti, është përfundimtar dhe nuk i nënshtrohet një debati publik në Parlament”, ka shtuat ai.
Edhe Kryetari i Komisionit për ndryshimin e Ligjit për zgjedhje do të përfundojë punën ashtu siç është paraparë me rezolutën e Kuvendit dhe marrëveshjen politike PDK, LDK, AKR.
“Të gjitha këto faza mendojmë t’i kryejmë diku në periudhën tetë-nëntëmujore, në mënyrë që të presim edhe ndryshimet apo amendamentimin e Kushtetutës nga komisioni tjetër. Pra, në qoftë se ka nevojë të përshtatjes së ligjit tonë me amendamentimet e bëra në Kushtetutë, atëherë në periudhën tjetër kohore, ne do ta përshtatim dhe do t’ia dorëzojmë rezultatet finale Kuvendit të Kosovës”, bëri të ditur Demolli.