E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria përcakton 2500 vende pune të reja në administratë

Zbardhet tabela sipas numrit të punonjësve që kërkohen nga ministritë. Vendimi më i fundit përcakton se këto punësime do të bëhen me kontratë të përkohshme

Laureta Rryçi

Tiranë - Këshilli i Ministrave përcakton rreth 2500 vende të reja pune nëpër institucione shtetërore me kontratë të përkohshme. Gazeta “Albania” zbardh vendimin e plotë të qeverisë për një numër punonjësish sipas ministrive dhe disa institucioneve të tjera qendrore. Sipas tabelës, rreth katër ministri duket se do të kenë numrin më të madh të këtyre punonjësve. Ndër to renditet Ministria e Transportit, ajo e Mjedisit, e Bujqësisë etj. Po kështu, një numër i konsiderueshëm punonjësish është përcaktuar në Ministrinë e Bujqësisë.
Vendimi
Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore, nga 1618 punonjës është bërë 2430. Këto vende pune mësohet se janë hapur falë projekteve sezonale që kanë ministritë dhe institucionet. Me ndryshimin e vendimit qeveria ka përfshirë për punësimin sezonal edhe Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale. Udhëzimi më i fundit ngarkon me përgjegjësi për zbatimin më të detajuar të tij Ministrinë e Financave. Sipas këtij vendimi, i takon kësaj ministrie të miratojë përcaktimin me hollësi të numrit të punonjësve sipas tabelës së mëposhtme, sipas profesioneve dhe me afate kohore, brenda kritereve të vendimit.
Ministritë

Vendimi më i fundit i qeverisë ka përcaktuar disa ministri dhe institucione si vendet që do të ofrojnë më shumë punë sezonale gjatë këtij viti. Kështu, Ministrisë së Transportit, për drejtoritë që ka në varësi dhe projektet që do të zbatohen gjatë këtij viti, i është dhënë e drejta për të shtuar edhe 803 punonjës me kontratë të përkohshme përveç administratës që ka aktualisht në varësi. Pak a shumë të njëjtin fat do të kenë dhe Ministria e Bujqësisë, ajo e Mjedisit dhe INSTAT-i.

Projekti

Sipas projektit të shpallur nga qeveria rezulton se ndryshime të ndjeshme do të bëheshin edhe në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Arsimit. Në këtë institucion është parashikuar një rritje e punonjësve në sistemin universitar, si rezultat i liberalizimit të këtij sistemi arsimor, si dhe për arsye të shtimit të degëve të reja në sistemin universitar. Për këtë qëllim, sipas qeverisë, është kërkuar një shtesë prej 288 punonjësish, duke përfshirë në këtë numër edhe 22 punonjës të instituteve shkencore të sistemit të bujqësisë, të cilët kalojnë pranë universiteteve. Në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është marrë në konsideratë kërkesa për rritje të numrit të punonjësve, 39. Sipas qeverisë, kjo rritje justifikohet me përballimin e volumit në rritje të punës dhe në përmirësimin e marrëdhënieve me publikun në këto institucione. Edhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivës ishte kërkuar një rritje prej 20 punonjësish, për të mundësuar edhe këtu, sipas qeverisë, volumin në rritje të punës, por kryesisht për të përballuar edhe prapambetjen e trashëguar në gjendjen e dokumentacionit në arkivat shtetërore vendore. Për Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është kërkuar rritje prej 57 punonjësish, që duhen për ngritjen e strukturave rajonale. Ndërsa shtesa prej 40 punonjësish të parashikuar në Ministrinë e Financave konsiston në krijimin e strukturave të reja, si krijimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Borxhit dhe forcimin e strukturave ekzistuese. Rritje të stafit do të kishte edhe në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ku kërkohet një shtesë prej 50 punonjësish, nga të cilët 17 në Zyrën Qendrore dhe 33 punonjës në zyrat vendore, për shkak të rritjes së volumit të punës. Ndërkohë që nuk është marrë parasysh rritja prej 84 punonjësish që ka kërkuar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pasi, sipas qeverisë, kjo drejtori nuk ka sjellë argumente të mjaftueshme për të justifikuar këtë rritje. Është refuzuar gjithashtu një rritje prej 3 punonjësish për në Komitetin e Minoriteteve, pasi, sipas Ministrisë së Financave, kërkesa nuk ka ardhur nga organi përgjegjës. Nuk është marrë gjithashtu në konsideratë kërkesa e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit për një shtesë prej 40 punonjësish, ndërkohë që kjo drejtori është në proces ristrukturimi, me qëllim zvogëlimin e saj. Deri në fund të këtij viti numri i punonjësve në administratë do të jetë në ulje duke kapur shifrën e përgjithshme të të punësuarve nëpër ministri në shifrën prej 104 808 punonjësish.

Bëhet
Kuvendi i Shqipërisë 11
Këshilli i Ministrave 1
Ministria e Ekonomisë 44
Ministria e Bujqësisë 213
Ministria e Transportit 803
Ministria e Financave 49
Ministria e Turizmit 22
Ministria e Shëndetësisë 27
Ministria e Jashtme 16
Ministria e Brendshme 562
Shërbimi Informativ Shtetëror 40
Drejtoria e Përgj. e Arkivave 30
Ministria e Punës 83
Ministria e Mjedisit 140
Gjykata Kushtetuese 2
Agjencia Telegrafike Shqiptare 3
INSTAT 378
Këshilli i Lartë i Drejtësisë 2
Autoriteti i Konkurrencës 1
Këshilli Komb. i Kontabilitetit 1
Institucione të tjera qeveritare 2

Totali 2430

Ishte

Kuvendi i Shqipërisë 11
Këshilli i Ministrave 1
Ministria e Ekonomisë 44
Ministria e Bujqësisë 190
Ministria Transportit 803
Ministria e Financave 49
Ministria e Jashtme 16
Shërbimi Informativ Shtetëror 40
Ministria e Punës 83
Gjykata Kushtetuese 2
INSTAT 378
Autoriteti i Konkurrencës 1

Totali 1618

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›