Qeveria, betohen në presidencë 4 ministrat e rinj
Vetëm pak ditë pas miratimit nga Kuvendi të dekreteve për ndryshimet në kabinetin qeveritar, 4 ministrat e rinj janë betuar paraditen e sotme në Presidencë.
Në Zyrën e kreut të shtetit Bamir Topi u betuan katër anëtarërt e rinj të Këshillit të Ministrave, përkatësisht Edmond Haxhinasto, si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Panariti, si Ministër i Punëve të Jashtme, Flamur Noka, si Ministër i Brendshëm dhe Vangjel Tavo, si Ministër i Shëndetësisë.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, leximit të dekreteve të emërimit dhe formulës së betimit nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, zoti Aleksandër Flloko, Ministrat e rinj të qeverisë, me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, bënë betimin përpara Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili u dorëzoi dekretet e emërimit dhe u shprehu urimet më të mira dhe suksese në përmbushjen e detyrave të tyre të rëndësishme.