Aktakuzë ndaj Lushtakut e Hotit

Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku do të përballet sërish me drejtësinë. Këtë herë për shkak të kërcënimit ndaj ekipit të Jetës në Kosovë, dhe personalitetit të udhëheqëses së këtij emisioni, Jeta Xharra.
Klan Kosova ka njoftuar se EULEX-i ka ngritur aktakuzë kundër Lushtakut , botuesit të gazetës Infopress, Rexhep Hoti, si dhe gazetarit Qani Mehmeti.
Ata janë të dyshuar për përfshirje në një fushatë mediale të kërcënimeve serioze dhe shpifjeve kundër Jeta Xharrës.
“Fushata është iniciuar dhe udhëhequr nga një gazetë në periudhën maj-qershor 2009 pas një raporti kritik televiziv, që gazetarët e transmetuan në Televizionin e Kosovës. Prokurorët e EULEX-it, janë përgjegjës për rastin që prej janarit 2010. Aktakuza është ngritur nga një prokuror i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë sot. EULEX-i mund të konfirmojë se Sami Lushtaku dhe Rexhepi Hoti janë në mesin e të akuzuarve”, ka thënë zyra për media e EULEX-it.
Sami Lushtaku nuk ka dashur të komentojë aktakuzën më të re, duke thënë se është mësuar me të tilla.