E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria diskriminon pensionistët. Ata marrin 41% më pak

Share

Qeveria shqiptare përpiqet të ngatërrojë detyrimin që ka për rritjen e rrogave dhe pensionit për të kompensuar rritjen e nivelit të inflacionit, me rritjen reale të pensionit dhe rrogave. Denoncimi ka ardhur nga opozita shqiptare, e cila provon se pensionistët marrin një pension 41 për qind më të ulët se sa duhet të merrnin nëse qeveria do zbatonte në mënyrë korrekte ligjin për pensionet.

Në vitin 2007 qeveria ka bërë një ndryshim dhe ka miratuar me ligj që nëqoftëse ky pension bazë nuk e garanton minimumin jetik atëherë mundet që të jepet një kompensim shtesë në të ardhura për ta garantuar këtë minimum jetik. Por, njëherazi që nga 1 shkurt 2006, pra sërish flasim për një vendim qeverie të kësaj mazhorance, ka një vendim qeverie që rregullon specifikisht indeksimin e pensioneve. Ky vendim qeverie ka dy elementë të rëndësishëm. Së pari ka përcaktuar se për pensionistët në Shqipëri duhet të ketë një tregues inflacioni të ndryshëm nga inflacioni i përgjithshëm që mat INSTAT. Ilustrimi bëhet për ushqimet. Nëse në matjen e inflacionit mesatar për të gjithë shqiptarët ushqimet zënë 37% të buxhetit mujor familjar, te pensionistët ushqimet zënë 62%. Ky vendim qeverie ka dhe një standard tjetër të përcaktuar. Indeksimi i pensioneve, pra rritja nominale për të ruajtur fuqinë e tyre blerëse krahasuar me vitin e mëparshëm hyn në fuqi çdo datë një maj të çdo viti. Ndërkohë, nëse thamë që qysh prej vitit 93, praktikisht prej 19 vjetësh ka një detyrim ligjor që ai pensioni bazë duhet të garantojë një standard minimal jetese, sot praktikisht pas 19 vjetësh jemi në një situatë që ky standard minimal jetese praktikisht ka mbetur jetim, nuk i del dot askërkush për zot, tha Sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja.

Kthehemi tek vendimi i 27 qershorit 2012 për rritjen e pensioneve në fshat dhe në qytet, 4% në qytet dhe 5% në fshat. Inflacioni i pensionistëve ishte 4.3, rritja është 3.4. Pra, thellohet hendeku midis moszbatimit të detyrimit ligjor dhe realisht shtesa është 445 lekë. Për të qenë shtesa të paktën 4.3% duhet të ishte 571 lekë në muaj. Pra çdo pensionisti për ti ruajtur nivelin e jetesës së vitit të kaluar, pa bërë asnjë përpjekje për tia përmirësuar asnjë qindarkë më shumë, duhet ti jepnin edhe 127 lekë më shumë në muaj, pra i ka marrë 22%.

Vijmë edhe tek momenti i dytë i vendimit të 1 shkurtit 2006, që indeksimi i pensionit fillon nga data 1 maj, kemi rritje me 6 muaj me 3.4, ligjërisht duhet të kishim rritje për 8 muaj me 4.3%. Kjo e thellon akoma më shumë borxhin që për të zbatuar detyrimin ligjor dhe për të ruajtur fuqinë blerëse të parave të pensionit të vitit të kaluar hendeku deri në fund të vitit do të shkojë 1890 lekë për një pensionist,ose do të thotë për këtë vit 41% më pak se detyrimi ligjor për të ruajtur nivelin e jetesës të vitit të kaluar apo fuqinë blerëse të vitit kaluar.

Beqja: Ja propozimet e PS

Ne kemi propozuar uljen e TVSH së energjisë nga 20% në 6%. Edhe TVSH-në e ilaçeve do ta bëjmë 0%. Është e vërtetë që teorikisht pensionistët duhet ti marrim ilaçet falas, por ai vendim i INSTAT-it që po e përsëris është baza e gjithë këtij arsyetimi i 1 shkurtit 2006 thotë që pensionistët 7% të shpenzimeve mujore i çojnë për ilaçe. Pra, do të kemi politika në drejtime të ndryshme që të mbledhura bashkë do të japin një rritje reale të ndjeshme të të ardhurave të pensionistëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›