E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kompani e afërt me Imamin merr çdo tender në Ministrinë e tij

Share

Një kompani e afërt me Ministrin Imami po gllabëron çdo tender në Ministrinë e Mbrojtjes qyshkurse ai është bërë ministër në vitin 2009. Një burim i rëndësishëm brenda Ministrisë së Mbrojtjes i tha gazetës Tema se kompania D&E është një kompani e superfavorizuar në çdo tender të kësaj ministrie qysh kur zoti Imami është bërë ministër.

Presioni është rritur së fundmi kur kjo kompani është paraqitur në tenderin për blerjen e uniformave ushtarake dhe ka presion nga zyrtarët e lartë të Ministrisë që flasin në emër të Ministrit për ta shpallur fituese. Bëhet fjalë për tenderin e fundit Blerje uniforma ushtarake që u zhvillua në datën 09.07.2012.

Në këtë procedure u paraqit edhe kompania D&E me administratore znj. Alba Çaushi, e cila rezulton të jetë renditur e treta nga oferta ekonomike dhe ka një diference te madhe me firmat përpara, por është rekomanduar si fituese nga drejtuesit e lartë të Ministrisë.

Kjo kompani është paraqitur për herë të parë te Ministria e Mbrojtjes ditën kur Arben Imami u bë Ministri i saj, dhe duke filluar prej atëherë ka marrë të gjitha tenderimet e kësaj ministrie.

Burimi i gazetës Tema në Ministri saktëson se komisioni është urdhëruar që në shumë raste tia japë tenderët kësaj kompanie me negocim, pa shpallje duke lidhur direkt kontratat. Serioziteti i kompanisë lë për të dëshiruar pasi veprimtaria themelore e saj ka qenë pastiçeri, sipas burimit. Por përveç kësaj, kompania ka krijuar probleme serioze me cilësinë e mallrave, ose duke bërë hyrje fiktive e duke detyruar oficerët të heshtin.

Presioni që kjo kompani të rishpallet fituese e tenderit të uniformave duket se ka rritur shqetësimin në komisionin e tenderit, i cili nuk gjen mbështetje ligjore për vendimin pasi diferenca në çmim me ofertat e tjera mund të jetë 1 milionë dollarë. Dhe pavarësisht se kur vjen fjala për klientë të qeverisë, ministri Bode thotë nuk ka rëndësi çmimi, por cilësia, në këtë rast ngado që ta kapësh është keq.

Renditja sipas ofertës ekonomike me te ulet është kjo:

1)EURO 2001 ME CMIM 1.151.984.432 LEKE PA TVSH.

2)FABRICA D ARMI PIETRO BERETA SPA ME CMIM 1.159.408.150 LEKE PA TVSH.

3)D&E SHPK ME CMIM 1.240.172.050 LEKE PA TVSH

4)UNIFORM SRL ME CMIM 1.245.342.608 LEKE PA TVSH

5)ILIRIA ACCESSORI SHPK ME CMIM 8.740.106 EURO PA TVSH.

6)KOAN SHPK ME CMIM 1.271.942.390 LEKE PA TVSH.

7)ODET BROSH ME CMIM 1.313.561.174 LEKE.

Këta janë 7 konkurrentet dhe dokumentet e tenderit janë përgatitur që firma D&E ta ketë më të lehtë fitimin e saj në mënyre që asnjë firme vendase mos të afrohet. Kjo është arritur përmes një kushti formal për një certifikatë formale që kjo kompani ka siguruar dhe e ka shtuar përmes influencës së saj në ministri në kushtet e tenderit për të zhvlerësuar konkurrentët e tjerë.

Zyrtarëve të komisionit të tenderit u është bërë e qartë se dy kompanitë e para duhet të skualifikohen pavarësisht çmimit të ulët.

Skema e shpalljes së fituesit është të shpallet kompania e tretë, ose kompania Uniformë SRL, e cila është kompani mbështetëse e saj dhe ka hyrë në garë për ta bërë më të sigurt marrjen e tenderit prej kompanisë në fjalë.

Firma D&E e ka zanafillën ditën kur për herë të parë Arben Imami u bë titullari i Ministrisë së Mbrojtjes dhe kjo mund të verifikohet lehtësisht dhe nga Buletini i Prokurimit Publik. Misterioze është historia e tenderit të skrapit, pas të cilit qëndronin të njëjtit njerëz dhe që sipas disa burimeve komisioni është detyruar të deklarojë vetëm gjysmën e sasisë së hekurit që ishte gjendje kur u bë tenderi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›