Liberalizimi i Vizave, shanset janë të mëdha para pushimeve të verës

Lëvizja pa viza e qytetarëve shqiptarë drejt hapësirës Shengen është projekti kryesor dhe prioriteti më i madh imediat i qeverisë shqiptare. Konteksti i ndryshëm historik dhe përvoja e veçantë e Shqipërisë në raport me vendet e tjera të rajonit në drejtim të lëvizjes së qytetarëve drejt vendeve të Europës Perëndimore, dëshmon pikënisjen e ndryshme që ne patëm në këtë proces me dimension rajonal. Shqipëria, ka përjetuar izolimin më të madh dhe të gjatë nga të gjithë vendet e tjera të bllokut lindor, duke ofruar në këtë këndvështrim një rast unik. Ndërkohë, një tabllo krejt tjetër ekzistonte për vendet e tjera te rajonit, qytetarët e të cilëve mund të vizitonin lirisht vendet e Europës Perëndimore, madje dhe mund të punësoheshin atje. Njëkohësisht, ne u gjendëm përpara rrethanave të reja, ku rreth 1/3 e qytetarëve shqiptarë emigruan jashtë vendit, ku dhe ndërtuan një jetë të re.
Duke njohur të gjitha këto zhvillime, në Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian vendosi të ndërtojë një proces të qartë, të matshëm dhe konkret për liberalizimin e regjimit të vizave me vendet tona. Për këtë, u hartua një Udhërrëfyes, i cili Shqiperise iu dorëzua zyrtarisht në qershor 2008.
Udhërrëfyesi është i ndërtuar në katër blloqe detyrimesh: Siguria e Dokumentave;
Migrimi, menaxhimi i kufirit dhe ripranimi; Rendi publik dhe siguria; Marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore.
Gjatë gjithë kësaj kohe ka patur një proces komunikimi konstant me Komisionin Europian, ku pala shqiptare ka dorëzuar informacion të përditësuar për shkallën e përmbushjes së kritereve të Udhërrëfyesit. Të dhënat e paraqitura nga ne jane verifikuar nga grupe ekspertësh te Bashkimit Europian, të cilët kane zhvilluar inspektime në terren dhe kane ballafaquar vërtetësinë e të dhënave dhe japin rekomandime për përmirësime të mëtejshme.
Në raundin e vlerësimeve të para në mars - maj 2009, Komisioni Evropian konsideroi se Shqipëria kishte bërë progress te dukshem, por gjithashtu evidentoi disa sektorë ku nevojitej përparim i mëtejshëm. Një nga detyrimet kyçe për t’u plotësuar ishin prodhimi dhe shpërndarja e pasaportave biometrike, për të cilat puna filloi relativisht me vonesë për shkak të periudhës së zgjedhjeve të përgjithshme në vend, ku e gjithë vëmendja ishte përqëndruar në prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit. Në periudhën janar qershor 2009, prioriteti numër një i shtetit shqiptar ishte përgatitja e infrastrukturës zgjedhore, si parakusht për evoluimin e mëtejshëm të marrëdhënies Shqipëri-BE, e cila u kalua me sukses.
Ndaj pritshmëritë tona për vlerësimin e Komisionit Evropian më 15 korrik 2009 për liberalizimin e vizave ishin realiste, kur dhe u bë propozimi zyrtar për heqjen e regjimit të vizave me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, të cilat përfituan nga lëvizja e lirë më 19 dhjetor 2009.
Që nga shtatori 2009, siç u theksua dhe më lart, për vetë ndjeshmerine dhe rëndësinë historike që liberalizimi i vizave ka për qytetarët tanë e gjithë vëmendja, energjitë, dhe angazhimi janë përqëndruar në etapat e fundit të këtij procesi, i cili po zhvillohet njëkohësisht në tre drejtime.
Së pari, së brendshmi duke u fokusuar në zbatimin e të gjitha detyrimeve që përmban udhërrëfyesi;
Së dyti në zhvillimin e dialogut me strukturat e BE, Komisionin, Këshillin dhe Parlamentin Evropian;
Së treti në marrëdhënie me vendet anëtare, të cilave iu bëhen gjithashtu me dije të gjitha arritjet tona në këtë kuadër.
***
Zbatimi i detyrimeve për çdo bllok, në mënyrë të përmbledhur, duke përmendur vetëm arritjet kryesore:
Blloku 1 - Siguria e Dokumentave
Pasaportat biometrike janë një nga detyrimet kyçe të udhërrëfyesit, pasi vetëm qytetarët e pajisur me pasaporta biometrike do të kenë të drejtën të udhëtojnë pa viza drejt hapësirës Shengen. Ashtu sikurse është konstatuar nga të gjithë ne tashmë, Shqipëria ka shënuar një revolucion të vërtetë në dokumentet biometrike, si kartat e identitetit ashtu edhe pasaportat. Ka një kapërcim galopant nga regjistrat e vjetër manualë, në një sistem të kompjuterizuar dhe të sigurt të dhënash; nga seriali i çertifkatave në karta identiteti multifunksionale. Falë këtij sistemi modern, te sigurte dhe efikas, ritmi i shpërndarjes së pasaportave biometrike rezulton të jetë më i larti në rajon, dhe tejkalon çdo parashikim tonin apo të Bashkimit Evropian.
Blloku 2 - Migrimi, menaxhimi i kufirit dhe ripranimi
Në këtë bllok, ku puna është përqendruar në menaxhimin e kufirit, ka patur përmirësime thelbësore nëpërmjet vënies në funksionim të teknologjive të reja nga më të avancuarat në Evropë për menaxhimin e integruar të kufijve. Arritja më domethënëse është instalimi dhe funksionimi i plotë i sistemit TIMS, në të 24 Pikat e Kalimit Kufitar (PKK).
Së fundmi ka përfunduar me mbështetjen e ICITAP dhe krijimi i moduleve për e-visa dhe e-leje qëndrimi, të cilat janë instaluar në sistemin TIMS dhe aktualisht janë në funksion dhe perdorim nga Policia Kufitare dhe e Migracionit dhe strukturat e ministrsë së brendshme, Zyrat e Punes dhe shërbimet konsullore të Ministrisë së Jashtme, të cilave iu është mundësuar aksesi në këtë sistem. Ka përfunduar dhe eshte vene ne funksion te plote Regjistri elektronik i të huajve me qendrim te rregullt ne Shqiperi.
Shqiperia implementon me sukses te plote dhe pa asnje verejtje te gjitha marreveshjet e ripranimit me Bashkimin Europian.
është unifikuar sistemi i kontrollit në PKK sipas parimit one-stop-shop, që përfshin kontrollin e dokumentacionit, doganor dhe fitosanitar. Eshtë ngritur dhe funksionon Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare për kontrollin e kufirit detar. Janë miratuar dhe janë tashmë në zbatim të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore për kontrollin dhe survejimin e kufirit, mbi bazen e strategjise dhe planit te veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Gjithashtu, jane miratuar të gjitha aktet ligjore e nënligjore për zbatimin e ligjit mbi azilin dhe Planin e veprimit për zbatimin e ligjit për të huajt. Para 2 javesh ka nisur puna ne Qendren e re te parametrave Europiane per pritjen dhe qendrimin e emigranteve me qendrim te paligjshem ne vendin tone.
Ka përfunduar instalimi i 63 lexuesve të rinj optikë për kontrollin dhe leximin e pasaportave biometrike në 24 PKK. Funksionon plotësisht në 12 drejtori të policisë në qarqe dhe në 8 Drejtoritë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit sistemi i analizës së informacionit kriminal MEMEX. Në të gjitha PKK ka një lidhje në kohë reale me bazën e të dhënave të INTERPOL.
Blloku 3 - Rendi publik dhe siguria
Ky është blloku më kompleks i udhërrëfyesit, pasi çështjet që trajtohen në këtë bllok janë më pak të matshme, dhe kërkojnë një punë dhe angazhim afagjatë. Prioritet i rendesishem ka qene dhe mbetet zbatimit i strategjisë kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit sipas plan veprimit me masat për çdo institucion sipas një kalendari të qartë, që në thelb sigurojnë ndërtimin dhe funksionimin e mekanizmave të nevojshëm. Në vijim të miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit të ri kundër krimit të organizuar(antimafia), zbatimi i tij, strategjisë dhe planveprimit monitorohet në koncert, me rigorozitetin më të madh dhe në mënyrë sistematike nga Komiteti Ndërinstitucional për Masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizimit.
Para disa javesh Kuvendi i Shqiperise rinovoi e moratoriumin për mjetet e shpejta lundruese cka garanton ne vazhdimesi efektet e duhura në luftën kundër krimit të organizuar.
Blloku 4 - Marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore
Dy detyrimet e mbetura nga ky bllok përfshinin angazhimin tonë në kuadër të Dekadës së Romëve si dhe ligjin e ri për antidiskriminimin. Për të parën, tashmë janë adoptuar si strategjia kombëtare ashtu edhe plan veprimi, dhe ky është një projekt afatgjatë. Ndërsa ligji për antidiskrimimin u miratua në Kuvend më 4 shkurt 2010. Edhe detyrimet e pershkruara nga ky bllok konsiderohen te mbyllura nga ne.
***
Këto janë arritjet e Shqipërisë në katër blloqe. Për përfaqësuesit e opozitës kjo është prapambetje, për ne ky është rekuperim nga koha kur krerët e bandave shëtisnin me makinat zyrtare, kur ata që prisnin kokat e qytetarëve gëzonin imunitetin e plotë të zyrës. Për ju është prapambetje por për BE, SHBA dhe partnerët tanë ky cilësohet progres i dukshëm dhe i qëndrueshëm. Mohimi i këtij realiteti me aktore në këtë kuvend sikur të kenë mbirë këtu për herë të parë me ndonjë fluturim nga ndonjë ishull i Paqësorit dhe jo sikur të jenë ata bashkëpërgjegjës për tetë vjet keqqeverisje dhe bashkëqeverisje me krimin, është i pamoralshëm.
Marrëdhëniet me Komisionin, Këshillin dhe Parlamentin Evropian.
Autoritetet e vendit jane ne komunikim konstant me të gjitha strukturat e BE për të marrë çdo vlerësim dhe rekomandim të tyre, si dhe duke ndjekur deri ne permbushje zbatimin e ketyre detyrimeve. Qeveria ka paraqitur një seri raportimesh me shkrim pranë Komisionit Evropian, si dhe jane zhvilluar takimet e dialogut të drejtpërdrejtë duke përcjellë me vërtetësi, seriozitet dhe në cilësinë e duhur të gjitha rezultatet e përmbushjes së detyrimeve të udhërrëfyesit.
Të njëjtën qasje kemi patur dhe me vendet e Bashkimit Evropian, të cilat kanë ndjekur po ashtu hap pas hapi këtë proces, duke shkëmbyer vizita të ndërsjellta me qëllim njohjen sa më të thellë dhe realiste të arritjeve tona.
Gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi patur mbështetjen, përkrahjen dhe inkurajimin e vazhdueshëm si të strukturave komunitare ashtu edhe të vendeve anëtare.
Me lejoni te vecoj ketu miratimin me shumicë dërmuese në Parlamentin evropian më 12 nëntor 2009 te rezolutës, ku Parlamenti Evropian dhe Këshilli, angazhohen për një trajtim urgjent të propozimit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, menjëherë sapo Komisioni të vlerësojë se ne kemi përmbushur detyrimet e mbetura nga udhërrëfyesi.
Mesazhe të fuqishme politike në drejtim të përmbylljes brenda afateve të përcaktuara të këtij procesi kanë vijuar nga përfaqësues të lartë të vendeve anëtare.
Në mënyrë të veçantë, qendrimi përkrahës i vendeve tona fqinje, anëtare të BE për përshpejtimin e këtij procesi dhe përmbylljen e tij pa vonesa, përforcojnë bindjen dhe angazhimin tonë për përfundimin me sukses të këtij procesi. Përmendim këtu mbështetjen e fuqishme të ofruar nga Ministri i Brendshëm italian Maroni, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, perkrahjen e ofruar nga Minsitri i Brendshem i spanjes Rubalcana ne cilesine e Kryetarit te rradhes se Keshillit Europian per Punet e Brendshme dhe Drejtesine, letrën e përbashkët të Ministrit të jashtëm italian Frattini dhe atij slloven, Zbogar drejtuar presidencës suedeze të Bashkimit Europian për trajtimin me prioritet të kësaj çështjeje nga Komisioni, si dhe qëndrimin mbështetës të Austrisë dhe Greqisë, në letrën e përbashkët të Ministriave te jashtem drejtuar Përfaqsueses së Lartë të BE për politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton, për përshpejtimin dhe përfundimin e procesit brenda 2010.
Se fundmi Deklarata e Ministrave te Brendshem te Europes Juglindore te mbledhur ne Tirane i ben thirrje Bashkimit Europian te njohe progresin e arritur nga Shqiperia dhe BH ne permbushje te detyrimeve te udherrefyesit per liberalizimin e vizave dhe te pershpejtoje procesin e vendimmarrjes per te garantuar levizjen e lire te qytetareve te dy vendeve sa me pare te jete e mundur.
Në 26 shkurt u permbyllen te gjitha misionet e vëzhgimit për bllokun 2 (kufijtë, migracioni) dhe 3.
Në mars pritet hartimi dhe dorëzimi në Komision i raporteve të ekspertëve. Pas kesaj Komisioni pritet të hartojë raportin, i cili më pas do të diskutohet në Këshill (grupi i punës për vizat). Në të njëjtën kohë do të hartohet propozimi për ndryshimin e Rregullores 539/2001 për regjimin e vizave, i cili do të kalojë për miratim në Këshill dhe Parlamentin Evropian. Koha e vendimarrjes nga institucionet e ndryshme Europiane do te jete percaktuese per shpejtesine e procesit.
Vetem gjate ketyre diteve mesazhe nxitese kane ardhur ne kete drejtim nga Iniciativa Europiane per Stabilitet, Rapoterja per Procesin e Liberalizimit te vizave ne Parlamentin Europian Tanja Fajon dhe Kryetari i Komisionit te Parlamentit Europian per Punet e Brendshme Lopez Anguillar ku i kerkohet Komisionit Europian te paraqese raportin perfundimtar per konsultim brenda dy javeshit te pare te prillit me qellim qe Parlamenti Europian te jete ne gjendje ta marre ne shqyrtim propozimin legjislativ per heqjen e vizave para pushimeve te veres.
Ne kete kuader Projekt-Rezoluta e paraqitur nga Grupi Parlamentar i Partise Demokratike ne Kuvend do te jete nje sinjal i qarte dhe i forte i mbeshtetjes pa rezerva qe ky Kuvend, mazhoranca dhe minoranca i japin ketij procesi jetik per te gjithe qytetaret shqiptare pa dallim bindje politike. Përparimi i Shqipërisë në këtë proces është i dukshëm, konkret, i qartë dhe i gjithëpranuar. Ne te njejten kohe ne do të vazhdojmë të ruajmë ritmet e angazhimit tonë deri në përmbylljen e plotë të tij, në heqjen e vizave me BE per qytetaret tane.
* Fjala e mbajtur dje në seancën plenare të Kuvendit (me shkurtime)