E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria do rrisë trefish investimet në bujqësi

14-10-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha viziton panairin “Festa e të Vjelave”, në Peshkopi: Mbështetja për fermerët do të jetë në rritje  


“Mandatin që vjen do të jetë mandati i vaditjes, rritjes, zhvillimit të fermave shqiptare dhe i trefishimit të investimeve në këtë sektor”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha gjatë vizitës në panairin “Festa e të Vjelave”, në Peshkopi. Kryeministri u takua me fermerë, përfaqësues të shoqatave të ndryshme dhe bizneseve të angazhuara në agrobiznes dhe u interesua për ecurinë e prodhimit të tyre, gjatë këtij viti. Bujqësia, tha Kryeministri, është një nga aktivitetet e rëndësishme ekonomike të Dibrës dhe ky panair është një prezantim i shkëlqyer që i bëhet prodhimeve bujqësore të qarkut të Dibrës, por njëherësh i shërben edhe rritjes së marketingut të prodhimeve tipike të këtij rajoni, i njohur veçanërisht për pemëtarinë. Kryeministri i garantoi ata se mbështetja për fermerët do të jetë në rritje. “Autoritetet vendore më informojnë se në një hark kohor të shkurtër janë pesëfishuar prodhimet në një seri artikujsh bujqësor, në fruta, janë shumëfishuar subvencionet për ju, fermerët e mrekullueshëm të Dibrës. Unë jam sot, këtu, për t’u zotuar para jush se në vitet që vijnë subvencionet do të njohin rritjen më të madhe. Në rast se kemi investuar 370 milionë lekë, nga të cilat kanë përfituar mbi 2 mijë fermerë, do të investojmë trefishin, gjatë viteve që vijnë dhe do të rritet tre herë numri i fermerëve që do të përfitojnë nga subvencionet, për krijimin e fermave të tyre moderne. Kemi investuar rreh 420 milionë lekë në mbrojtjen e tokave nga Drini, si dhe në sistemet e vaditjes. Ju garantoj se mandati që vjen do të jetë mandati i vaditjes me pika, në mbarë Shqipërinë, do të jetë mandati i rritjes dhe zhvillimit të fermave shqiptare”- u shpreh Berisha. Ai vlerësoi se ky panair mbahet në një vit të veçantë, në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë. Berisha u ndal edhe në kontributin e madh që patriotët e Dibrës kanë në themelet e pavarësisë së shtetit shqiptar. “Dibra i dha kombit kryetarin e Lidhjes së Prizrenit, Iljaz Pashën. Dibra do të shndërrohej në trevën e kuvendeve të mëdha kombëtarë, të cilat do të përcaktonin fatin e Dibrës e të kombit shqiptar. Dibra i dha kombit, kryetarin e parë të senatit të qeverisë së Ismail Qemalit. Dibra i dha dijes së shqiptarëve Josif Bagerin, Haki Stërmillin dhe burra të tjerë të ndritur”- tha Berisha. Kryeministri iu referua dhe vizitës në Kosovë, duke vlerësuar heroizmin e patriotëve të cilët dhanë jetën për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e shqiptarëve. “Dje isha në Kosovë. Në çdo qytet, në çdo komunë, në çdo vend të trojeve shqiptare ku që ndalesh gjen martirë të kësaj toke, të rënë që nga luftërat e Lidhjes së Prizrenit, gjer tek luftërat çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni. Askush nuk ka derdhur gjak, nuk ka bërë sakrifica të mëdha, sesa ne shqiptarët, për t’u bërë të lirë. Numri i të rënëve tanë, sot, nuk dihet, sepse ne luftuam dhe si regjistër kishim vetëm memorien e kohës. Por të gjithë, ne dimë një gjë: Që ata burra, djem e gra që ranë për liri e dinjitet, për t’u bërë të pavdekshëm, ranë që shqiptarët të jenë të bashkuar në të gjitha trojet e tyre, kudo që jetojnë. Ky është ideali kombëtar! Kjo ishte ëndrra e martirëve të kombit shqiptar dhe këtë ëndërr, ne duhet ta bëjmë çdo ditë e më shumë realitet. Ndaj ju ftoj dibrane e dibranë të mençur, atdhetarë e trima, ftoj shqiptarët kudo që janë, të punojmë me përkushtim të madh, për të bërë realitet ëndrrën e qindra mijërave djemve e vajzave të këtij kombi, që në 134 vjet derdhën gjakun që shqiptarët të jetojnë të lirë, të bashkuar, në dinjitet të plotë. Kryetari i komunës së Deçanit do të deklaronte dje, në fjalën e tij, se ne  bashkimin e nisëm me abetaren dhe kjo është një e vërtetë e madhe. U ndala këtu për të theksuar se kemi shumë punë për të bërë, në mënyrë që ne, si një komb, të ecim drejt Evropës, nën moton: Të bashkuar njëri me tjetrin të bashkohemi me Evropën! Ky është motivi ynë! Ky është apeli i këtij 100 vjetori, të cilin ne ia detyrojmë para së gjithash, atyre që bënë sakrificën sublime për lirinë e dinjitetin tonë”- tha më tej kryeministri Berisha. Duke folur për marrjen e statusit kandidat kryeministri u shpreh se integrimi në BE heq vizat edhe për mallrat e fermerëve, ndërsa garantoi do të bëjë gjithçka që kjo ëndërr të realizohet. “Siç u hoqën vizat për ne, njësoj do të hiqen vizat edhe për mallrat tuaja. Do lëvizin pa dogana në të gjitha qytetet e Evropës”- vijoi ai, ndërsa shtoi se statusi u bë i mundur, ngaqë u faktua serioziteti i qëndrimit tonë. “Vetëm për vizat plotësuam 120 kërkesa. Për statusin qindra të tjerë”- tha Berisha. Kryeministri akuzoi sërish opozitën që lë karriget bosh për të mos votuar ligjet e integrimit. Në vijim të vizitës në Peshkopi, kryeministri Berisha ndoqi edhe hapjen e edicionit të 14-të të festivali Folklorik “Oda Dibrane”, organizimin e të cilit e konsideroi një traditë e bukur e promovimit të trashëgimisë folklorike muzikore dhe veshjeve tradicionale të zonës.


Fokus - Bankat kthejnë vëmendjen për kreditimin e bujqësisë/Bankat tregtare që operojnë në vendin tonë, duket se po kthejnë vëmendjen në kreditimin e sektorit rural. Kriza ekonomike, e cila goditi shumë sektorë dinamikë të ekonomisë, evidentoi ndër të tjera bujqësinë dhe agrobiznesin si fusha që vijuan rritjen dhe po zgjojnë interesin për të investuar. Shumë emigrantë shqiptarë, të kthyer nga Greqia e Italia, po rikthejnë vëmendjen për të investuar në bujqësi, duket riformatuar ndryshe sipërmarrjen vendase. Në këto kushte edhe trendi i bankave po orientohet për të kredituar sektorë që kanë rritje të mirë në treg siç po tregon së fundi bujqësia dhe agropërpunimi. Drejtuesit e disa bankave në vend kanë deklaruar se janë duke i dhënë prioritet financimeve në bujqësi, si një sektor që ka pasur rritje dhe ku parashikimet janë pozitive. Presidenti i “Credins Bank”, Artan Santo pohon se, “vëmendja e bankës gjatë këtij viti do të drejtohet te bujqësia, si një sektor me potencial dhe me interes për t’u mbështetur me kredi”. Ndërsa Flutura Veipi, drejtuese e “Procredit Bank Albania”, një nga bankat e para dhe ndër më aktivet në vend për kreditimin e bujqësisë, konfirmon se në prioritet të politikave kredituese nga kjo bankë do të vazhdojë të mbetet kreditimi i bujqësisë. Ofertat janë shtuar edhe nga Banka Kombëtare Tregtare, e cila ka lançuar kredinë BKT-agro, të dizenjuar për këtë sektor. Ekspertët gjykojnë se këto nisma vijnë në një kohë kur aksesi i bujqësisë në kreditim mbetet shumë i ulët. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bujqësia zinte vetëm 1.21% të totalit të kredive për biznes deri në muajin korrik të këtij viti. Ajo që bie në sy është se edhe ky portofol, me gjithë interesin e bankave, ka pësuar rënie.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›