E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punonjësit e administratës shtetërore trajnohen në kuadër të parandalimit të konfliktit të interesave

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në kuadër të luftës kundër korrupsionit shpërndau çertifikatat për zyrtarët e trajnuar për parandalimin e konfliktit të interesave. Inspektori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, u shpreh se "problematika e trajtuar në seminare, rastet konkrete të ofruara për diskutim dhe pjesëmarrja e lartë, treguan jo vetëm angazhimin e zyrtarëve, por njëkohësisht seriozitetin dhe korrektësinë e Inpektoratit të Lartë gjatë këtij procesi. Inspektorati i Lartë do të ndjekë në vazhdimësi strategjinë, e cila tashmë ka filluar të konkretizohet, nëpërmjet së cilës ILDKP është i angazhuar të forcojë rolin kontrollues përsa i përket zbatimit të ligjit mbi konfliktin e interesave në institucionete publike, duke aplikuar në këtë mënyrë sanksionet dhe masat shtrënguese të parashikuara në ligj", deklaroi ai", ndërsa shtoi se institucioni do të vijojë me kontrollin rigoroz të deklarimit të pasurive. Duke u ndalur në modelin e ri të formularit të deklaratës së pasurisë, Llalla, bëri të ditur se, gjatë hetimit administrativ, ILDKP do të konsiderojë si fshehje të pasurisë rastet e mosdeklarimit të të ardhurave të fituara nga zyrtarët nëpërmjet qeradhënies. "ILDKP ka konstatuar se disa prej subjekteve deklarojnë se sigurojnë të ardhura nga dhënia me qera e objekteve të ndryshme. Këto raste janë në proçes verifikimi nga ana e Inspektoratit të Lartë, me qëllim verifikimin e shlyerjes së detyrimeve fiskale për të ardhurat që subjektet deklarojnë se realizojnë nga dhënia me qera e objekteve, verifikimi i cili realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve". Nëpërmjet një programi-pune 3-javor, ILDKP, në bashkëpunim me OSBE-në dhe Institutin e Trajnimit të Administratës Publike (ITAP) trajnuan rreth 200 zyrtarë të niveleve të ndryshme për parandalimin e konfliktit të interesave. Në fokus të trajnimeve ishin punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit, si dy prej institucioneve qendrore me numër të madh dhe shpërndarje të gjerë punonjësisht, si edhe zyrtarë të ALUIZNI-t, Zyrës Qendrore të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencisë Qendrore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, si institucione me risk të lartë të rënies në konflikt interesi. Ndërkohë, Ambasadori i OSBE-se në Tiranë, Robert Bosch, u shpreh në këtë takim se politikat parandaluese dhe bashkëpunimi mes institucioneve është një ndër mënyrat më efikase për parandaimin e korrupsionit. "Rritja e ndërgjegjësimit publik të zyrtarëve të administratës publike lidhur me kuadrin ligjor për konfliktin e interesave dhe deklarimin e aseteve është një objektiv strategjik i ILDKP-së" theksoi Bosch. Sipas tij, janë arritur rezultate konkrete në objektivat e qeverisë për shmangjen e konfliktit të interesave në kohën e ushtrimit të funksioneve publike. "Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po jep një mbështejte të rëndësishme për qeverisjen për pëmirësimin dhe luftën kundër korrupsionit" deklaroi Bosch. Në takim, merrnin pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë, Anila Godo, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, drejtues të lartë të agjencive të administrimit të pronave, etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›