Qeveria do të përcaktojë bonuse për firmat ndërtuese që përfundojnë para afatit ndërtimin e veprave publike
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, hartimin e projektvendimeve për miratimin bonuseve për kompanitë e ndërtimit të cilat përfundojnë përpara afatit ndërtimin e veprave publike.
Duke sjellë si shembull kompaninë e ndërtimit, e cila përfundoi 4 muaj para afatit aeroportin, Kryeministri theksoi se është shumë e rëndësishme vendosja e shpërblimit për të tilla firma, që me përgjegjshmërinë e tyre bëjnë të mundur shtimin e të ardhurave.
Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh se duhet të studiohen praktika sa më transparente për këtë qëllim.
“Zoti ministër, në mbledhjen e ardhshme duhet të sillen vendimet për miratimin e bonuseve për kompanitë që përfundojnë para afatit veprat publike. Këto bonuse janë të domosdoshme. Kompania që përfundoi 4 muaj përpara aeroportin dhe me nje cilësi të shkëlqyer, krijoi të ardhura katër muaj, para afatit. Duhet të studiojmë praktikat më transparente, për të vendosur sistemin e shpërblimit. Mora shembull këtë kompani, e cila, nga afati i vendosur në muajin korrik e përfundoi punën në muajin mars falë punës të përgjegjshme.” tha Kryeministri.