Kryeministri Berisha: Reformimi i Autoritetit të Rrugëve, i domosdoshëm për t’iu përshtatur kërkesave të kohës
Kryeministri Berisha kërkoi sot nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit reformimin dhe riorganizimin e Autoritetit të Rrugëve si një domosdoshmëri për t’u përshtatur me kërkesat e kohës.
“Ky Autoritet është larg nivelit që kërkon koha. Shuma që ky Autoritet merr sot për t’u administruar është shumë herë më e madhe se ajo që merrte dy-tre vjet më parë, por Autoriteti nuk ka arritur të përshtatet me këtë shumëfishim të investimeve. Nga ana tjetër, Autoriteti i Rrugëve duhet të riorganizohet tërësisht. Në rast se ky Autoritet do të ishte në lartësinë e detyrës dhe do të ndiqte me rigorozitet zbatimin e ligjeve, kam bindjen më të madhe se kontributi i tij do të ishte shumë më i madh. Pa një reformë të thellë, e cila duhet të studiohet mirë, ky Autoritet nuk do të mund t’i përgjigjet kërkesave,” tha Kryeministri.
Reformimi i këtij Autoriteti, theksoi Kryeministri, nuk synon pakësimin e kompetencave, por qartësimin e tyre. “Në formën e organizmit të tij absolutisht është vetë gjykatës, vetë prokuror. Nuk jam për t’ia pakësuar kompetencat, por për t’ia kthjelluar,” u shhpreh Kryeministri.
Kryeministri kërkoi që ristrukturimi i këtij Autoriteti të bëhet mbi bazën e një studimi të thelluar, për t’i dhënë përgjigje të gjitha problematikave të vërejtura.