E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria do të presë një sasi monedhash, në flori dhe argjend, me portretin e Nënë Terezës, me rastin e 100 vjetorit të lindjes

Ky vendim nuk e prek rezervën, pasi ajo nuk preket, por qeveria mund të blejë në treg, kundrejt vlerës, metalin e çmuar.

Kryeministri Berisha njoftoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, nismën e qeverisë që me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, të presë me fonde nga buxheti i shtetit, një sasi monedhash, në flori dhe argjend, me portretin e saj.

“Ky vit, - tha Kryeministri - është 100 vjetori i lindjes së Nënë Terezës, pra, është viti i Nënë Terezës. Unë ndjek me angazhim të gjitha hapat, masat dhe aktivitetet që po zhvillohen në kuadrin e këtij 100 vjetori. Por mendoj se në nderim të saj, me rastin e 100 vjetorit të lindjes, qeveria të presë me fondet e buxhetit një sasi monedhash floriri dhe argjendi me portretin e saj. Duhet të nisim shumë shpejt procedurat dhe natyrisht, do të jetë Banka e Shtetit që do të përmbushë prerjet, sikundër metali me vlerë do të blihet nga qeverie. Ky vendim nuk e prek rezervën, pasi ajo nuk preket, por qeveria mund të blejë në treg, kundrejt vlerës, metalin e çmuar dhe duhet të organizohet dizenjo. Komisioni të ketë edhe ekspertë të vlerave monetare nga Banka e Shtetit, nga Ministria e Financave, por, natyrisht, edhe dizenjatorë, të cilët do të bëjnë që ne të nderojmë, gruan më të shquar të kësaj toke, të të gjitha kohërave”.


19/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›