Kryeministri Berisha merr pjesë në konferencën “Mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë në BE”
- Ndihma e qeverisë italiane dhe ndihma italiane, ka qenë dhe është një ndihmë e adresuar, para së gjithash për të ndihmuar Shqipërinë, që procesin e integrimit ta ketë të bazuar mbi meritën.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në konferencën “Mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë në BE”. Në këtë konferencën ishin të ftuar gjithashtu edhe ministra të kabinetit qeveritar shqiptar dhe italian, ambasadori i Italisë në Shqipëri, si dhe përfaqësues të biznesit nga të dy vendet. Para të pranishmëve, kryeministri Berisha theksoi dhe vlerësoi maksimalisht rolin që populli mik dhe qeveria mike italiane kanë luajtur në hapat që Shqipëria hedh drejt integrimit në familjen evropiane, por edhe mbështetjen që u është dhënë emigrantëve, studentëve dhe biznesmenëve shqiptarë, që çdo ditë e më shumë vazhdojnë të thellojnë marrëdhëniet e shkëlqyera mes të dy vendeve.
I pyetur nga moderatori i kësaj konference, në lidhje me motivet që shtyjnë Shqipërinë drejt përshpejtimit të hapave në procesin e integrimit, kryeministri Berisha u përgjigj:
Motivet që e shtyjnë Shqipërinë drejt procesit të integrimit qëndrojnë para së gjithash në faktin se shqiptarët në 96 për qind të tyre kanë përcaktuar integrimin në Bashkimin Evropian si të ardhmen e tyre më të shkëlqyer. Në raport me të ardhmen, kombi ka një raport të veçantë. Për shkak të paudhësive historike shqiptarët kanë humbur shumë kohën dhe janë të detyruar, kanë dëshirë dhe vullnet që të kapin kohën e humbur. Integrimi në Evropë është rruga më e shkurtër, më e sigurt për të kapur kohën e humbur, për të parë kombin dhe vendin e tyre në gjirin e familjes evropiane, të cilit ky komb, ky vend i përket.
I pyetur nëse mendon se Italia do të luajë një rol edhe në të ardhmen evropiane të Shqipërisë, kryeministri Berisha u përgjigj:
Mendoj se Italia ka luajtur dhe luan një rol shumë të rëndësishëm në këtë sens. Së pari dua të theksoj se procesi i integrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Bashkimin Evropian, është procesi më serioz, më themelor, por edhe i vështirë natyrisht, në të cilin kombi dhe vendi është angazhuar ndonjëherë. Ky proces në konceptin tim është dhe duhet të jetë fund e krye i bazuar në meritën. Ky është interesi më jetik i qytetarëve shqiptarë. Duke e pranuar si një proces të bazuar në meritën, do të thotë një proces në të cilin shqiptarët duhet të realizojnë standardet e vlerave dhe arritjeve që janë të përbashkëta për vendet anëtare. Këto standarde nuk janë eterike, por janë konkrete dhe janë përcaktuese. Unë po marr disa shembuj të përgjithshëm dhe pastaj po kaloj në gjëra konkrete.
Shqipëria në këto 20 vite u shndërrua nga një ndër 3-4 vendet më të varfra të planetit, në një vend që u shkëput nga grupi i vendeve të varfra. Solidariteti i kombit italian, i gjithanshëm në këtë proces, ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm. Shqipëria ka qenë vendi i investimeve të huaja, të ndaluara me Kushtetutë. Vetëm 2 vitet e fundit me kompanitë e mëdha italiane janë firmosur investime prej rreth 5 miliardë euro. Shqipëria, para 4-5 vitesh ka patur probleme madhore, serioze, me krimin e organizuar. Sot Shqipëria ka një standard tjetër, i cili bazohet në treguesit e kriminaliteti më të ulët së mesatarja e Bashkimit Evropian në tërësi. Dhe në këtë kontekst, agjencitë e zbatimit të ligjit të Italisë, kanë dhënë ndihmën më të fuqishme, më kryesore. Sot në mes të dy brigjeve, ekziston një bashkëpunim i ngushtë luajal, që ngushton çdo ditë e më shumë hapësirat për krimin e organizuar dhe kriminalitetin. Shqipëria, në përpjekjet e saj për standarde, ka bërë dhe bën një luftë të madhe kundër korrupsionit, vendos standarde të reja, të cilat mund të mos gjenden edhe te disa vende anëtare të Bashkimit Evropian. Shqipëria ka patur një infrastrukturë ndër më të shkatërruarat në botën e tretë. Janë qindra milionë euro të Cooperazione Italiana, të cilat kanë ndihmuar Shqipërinë të ecë drejt një infrastrukture moderne, projekte që shtrihen këto në të gjitha fushat. Pra ndihma e qeverisë italiane dhe ndihma italiane, ka qenë një ndihmë dhe është një ndihmë e adresuar, para së gjithash për të ndihmuar Shqipërinë, që procesin e integrimit ta ketë të bazuar mbi meritën. Por nga ana tjetër më duhet të theksoj se nga një herë, po të kthehem 20 vite më parë më dukej vetja se po dilnim nga gjysma e errët e hënës, shumë të panjohur. Kryeministri i parë që kam takuar, rastisi të ishte kancelari i Gjermanisë, Helmut Kol, i cili më foli për librin e famshëm “Në botën e Shqiptarëve”. Pra njohuritë ishin shumë të pakta. Askush më shumë se italianët nuk e njeh këtë vend, këtë popull, këtë rajon. Dhe në këtë kontekst, ndihma, avokatia e bërë nga institucionet italiane, nga qeveria italiane, nga miqtë, ka qenë jashtëzakonisht e çmuar. Shqipëria sot është anëtare e NATO-s dhe është anëtare e NATO-s me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare. Italia ka qenë në krye të përpjekjeve për të promovuar potencialet dhe arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit të plotë të saj në NATO.
Shqipëria është para një procesi historik për kombin, siç është lëvizja e lirë dhe dihet nisma e qeverisë italiane dhe ministrit Frattini në këtë proces, si dhe përpjekja e tij e palodhur. Ai ka qenë në krye të këtyre përpjekjeve. Muajin që vjen mbahet në Sarajevë Samiti i ministrave të jashtëm, një ide e ministrit Frattini, e cila mor nga presidenca spanjolle dhe për ne është një avantazh, pasi është një përqendrim vëmendjeje ndaj Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të rajonit.
Pra mbështetja italiane është një mbështetje e gjithanshme, në drejtim të arritjeve të standardeve. Po diskutojmë për Korridorin 8, i cili është absolutisht ndër më fiziblit. Ky është një korridor, që nuk lidh pjesë të kontinentit si korridoret e tjera, ky është një korridor që lidh kontinentet, lidh Azinë me Evropën, rikthen rrugën tradicionale të fluksit të pandalshëm të tregut nga rruga e mëndafshit, drejt Gadishullit Apenin, drejt Perëndimit. Pra roli i Italisë, mendoj unë, është një rol jashtëzakonisht i rëndësishëm. Marrëdhëniet janë të shkëlqyera, miqësore dhe unë dua të falënderoj këtu mikun tim dhe mikun e kombit shqiptar, Silvio Berluskoni, i cili nuk është vetëm një italian i madh, por është edhe një europeist i madh. Konceptet e tij europeiste kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme për ndihmën që Italia i jep Shqipërisë drejt integrimit. Dua të falënderoj ministrin Fito, të cilin e takova dhe i thashë: Jemi takuar edhe 10 vjet më parë, por ti mbetesh ministri më i ri i Apenineve. Dua të falënderoj ambasadorin D’Elia me të cilin ne jemi në një varkë, përpiqemi bashkëshrisht çdo ditë dhe çdo javë që të ndihmojmë sipërmarrësit italianë. Kjo është axhenda më intensive që kemi ne, por e vërteta është se përpiqemi me sukses. Se tjetër gjë është të përpiqesh dhe tjetër të kesh sukses. Ne kemi sukses dhe në bilancin tonë jemi krenarë për punën që kemi bërë dhe të inkurajuar për të bërë më shumë. Ndaj dhe në këtë kontekst, shfrytëzoj rastin që të shpreh mirënjohjen ndaj qytetarëve të Italisë, kombit italian, qeverisë italiane, për të gjithë ndihmën e madhe që na kanë dhënë.
Në Itali jeton një komunitet i madh shqiptar, rreth gjysmë milioni arbëresh dhe gjysmë milioni emigrantë. Arbëreshët janë pjesë e gjakut tonë të shprishur. Mbi 20 mijë studentë studiojnë në universitetet italiane, janë mbi 22 mijë sipërmarrës shqiptarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre, por që ama investojnë edhe në Shqipëri. Pra unë mendoj se marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe kanë një të ardhme të shkëlqyer. Pyetja juaj nëse është për të ardhmen, sigurisht që është për të ardhmen dhe ka një vlerë shumë të madhe.
Dhe një herë dua të përshëndes dhe të falënderoj Italinë, qeverinë mike italiane për të gjithë mbështetjen e madhe, solidaritetin miqësor që kanë treguar dhe tregojnë ndaj Shqipërisë.
Faleminderit!
19/05/2010