E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria do të tërheqë ligjin për dënimin e komunizmit

25/01/2010  Lustracioni e bën të pazbatueshëm funksionimin e tij
Mbetet pezull ngritja e institutit, që do të studionte krimet e diktaturës
Rrëzimi i ligjit për lustracionin pritet të bëjë të pazbatueshëm dhe një ligj tjetër, që ka të bëjë me ngjarjet e asaj periudhe, atë “Për krijimin e institutit të studimeve të krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri”. Ligji është dorëzuar që më 14 janar të vitit 2009 në Kuvendin e Shqipërisë, por që burime nga Qeveria shprehen se së shpejti do të rikthehet sërish për ndryshime të mëtejshme. Ky ligj është i kushtëzuar në miratimin e tij nga ligji për lustracionin të paktën në dy nene. I pari është neni 7, që bën fjalë për emërimin e bordit drejtues, ku në pikën 2 të tij përjashtohen të gjithë personat që preken nga ligji “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”. Pika tjetër, ku ligji bëhet i pazbatueshëm, është neni i cili flet për evidentimin e personave përgjegjës që kanë qenë pjesë e organeve komuniste, por që nuk përjashtohen që të jenë sot në funksione publike, gjykatës, prokurorë apo dhe funksionarë të lartë të shtetit, të cilët sërish i shpëtoi rrëzimi i ligjit të parë.
Të tjera
Ndërkohë burime nga Qeveria shprehen se kjo ka qenë pikërisht arsyeja që drejtoria juridike pranë Këshillit të Ministrave po përgatitet të tërheqë ligjin në fjalë. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh që viti 2009 ishte dhe një vit elektoral, të djathtët kanë evituar diskutimin e tij për të mos pasur ngarkesë negative përpara fushatës. E djathta u mjaftua me diskutimi për ligjin e lustracionit, i cili hapi goxha debate. Nga ana tjetër, si nga ana e Kuvendit, ashtu dhe nga ana e Qeverisë nuk dinë të japin një përgjigje se çfarë do të bëhet me dënimin e krimeve të komunizmit, pasi ngritja e institutit kishte si qëllim pikërisht evidentimin e krimeve të tij. Duhet theksuar se Shqipëria është vendi i fundit në Evropën lindore që nuk ka dënuar masakrat e kryera nga regjimi i kaluar, dhe duket se dhe për një periudhë relativisht të gjatë kohe nuk ka për tu ndezur drita jeshile për këtë çështje. E para, sepse evidentimi dhe studimi i krimeve të komunizmit do të kërkojë një periudhë të gjatë kohe, pasi puna nuk do të bazohet vetëm në shqyrtimin e dokumenteve por dhe në mbledhjen e dëshmive etj.
Kërkesa
Më pas, miratimi i një rezolute për dënimin e tij, kërkesë kjo permanente e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, dhe vetë puna e institutit pritet të hapë goxha debate, pasi nuk përjashtohet që identifikimi i personave përgjegjës jo vetëm për krimet ndaj njerëzve, por edhe për mënyrën e qeverisjes, kontributin që ata kanë dhënë në luftën e klasave, në censurën meditime dhe artistike, presionet ndaj personave të ndryshëm e deri te vendosja e tollonave të ushqimit, do të jenë pjesë e detyrave që do të studiojë ky institut. Pra me pak fjalë, në hartimin e këtij ligji duhet theksuar se mazhoranca ka vepruar faktikisht gabim, pasi më parë duhej të ishte menduar për ngritjen e institutit dhe më pas për ligjin e lustracionit. Pra, ligji i lustracionit sipas juristëve, duhet të vinte si rrjedhojë e ligjit për dënimin e krimeve të komunizmit, i cili po mbahet peng nga procedura të stërzgjatura ligjore, sidomos nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e cila u akuzua jo pak se në gjykimin e tij kishte konflikt interesi te së paku dy anëtarë. Fehmi Abdiu, i akuzuar për gjyqe politike, të cilat kanë çuar deri në marrjen e jetës së një personi, por edhe Vladimir Kristo, kreu i saj, i cili përgjatë kohës së diktaturës ka qenë gjykatës, por edhe ky pjesëmarrës në gjyqe politike dhe vendime që kanë çuar individë në burgje apo në kampet e përqendrimit.
Lustracioni
Kushtetuesja ende pa vendim
Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me një vendim të saj për ligjin që ka të bëjë me pastërtinë e figurës për funksionarët e lartë. Debati që shkaktoi ky ligj, përveç dorëheqjes së një prokurori, solli dhe dërgimin e tij në Komisionin e Venecias për të dhënë një mendim. Kjo, pasi ligji në fjalë u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Partisë Socialiste si antikushtetues. Debati që hapi ky ligj në atë kohë e detyroi institucionin që bën interpretimin e Kushtetutës, ti drejtohet Komisionit të Venecias, që mbështeste argumentimin se ky ligj bie ndesh me Kushtetutën. Nga ana e saj institucioni në fjalë, pra vetë Gjykata Kushtetuese, nuk di të japë një përgjigje ekzakte se kur do të japë një vendim përfundimtar duke mbajtur pezull dhe ligjin për ngritjen e institucionit që do të evidentojë dhe analizojë krimet e komunizmit. Nga ana e saj vetë Qeverisë, nuk i mbetet gjë tjetër vetëm se të presë dhe të bëjë modifikimet e duhura në ligjin për krimet e komunizmit, por që gjithsesi duket se nuk do të jetë aspak e lehtë.
Detyrat e Institutit
Detyra e këtij instituti, në bazë të projektligjit të hartuar, është studimi në mënyrë objektive i periudhës së regjimit komunist, analizimi i shkaqeve dhe rrugët e vendosjes së tij, grumbullimi i të dhënave, dokumenteve dhe dëshmive që kanë të bëjnë me ndriçimin e strukturave të Sigurimit të Shtetit, të formave të persekutimit që ndiqte, si dhe të gjitha veprimtarive të tjera që kanë çuar në dhunimin e të drejtave themelore të njeriut. Po kështu evidentimi i personave që kanë qenë pjesë e organeve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative, dhe vendimet të cilat kanë çuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në veprime represioni në jetën shoqërore etj. Sipas të dhënave, numri i të persekutuarve nga regjimi komunist në Shqipëri mendohet të kalojë disa dhjetëra mijëra persona, por asnjëherë ska pasur statistika të sakta në lidhje me këtë çështje. Gjithsesi, Shqipëria cilësohet si vendi që ka përjetuar një nga regjimet më të egra në Evropën Lindore dhe Qendrore, por që ende nuk ka dënuar krimet e atij sistemi, i cili është dënuar nga të gjitha vendet e tjera, ku represioni ka qenë dhe më i butë.
Përpunimi elektronik
Përpunimi në formë elektronike i të gjithë dokumentacionit për krimet e komizmit në Shqipëri është një tjetër detyrë e përcaktuar për këtë institut në projektligjin që duket se do ti duhet të presë gjatë për të marrë dritën e miratimit. Për herë të parë Shqipëria mund të ketë të dhëna të sakta për një nga periudhat më të errëta të historisë së saj. Gjithashtu, ky institut ka për detyrë dhe sistemimin dhe botimin e kujtimeve të të gjithë të dënuarve politikë. Pra dorëshkrime, kujtime apo ditarë të atyre që vdiqën në kampet e punës apo burgjet komuniste dhe që sot ruhen nëpër sirtarët e miqve të tyre, por që ende skanë parë dritë botimi, dorëshkrime apo dhe kujtime të atyre ish-të përndjekurve që janë gjallë, por shkrimet e tyre humbasin në kohë nga mosarkivimi apo mbledhja në një vend etj. Instituti mund të ndryshojë tekstet e historisë, pasi do të ketë një tjetër këndvështrim për atë periudhë nga ajo çka është shkruar deri më sot. Më pas i gjithë ky do të jetë i hapur për publikun në arkivin e institutit, ngritja e të cilit parashikohet në projektligjin përkatës.
Debatet
Censura në art dhe informacion
Ndërkohë një pikë interesante e ligjit është dhe evidentimi i personave përgjegjës për makinën e propagandës komuniste apo dhe censurën në art, shkencë etj. Kjo sanksionohet në nenin që flet për detyrat e këtij instituti. Dhe këtu përfshihen dhe ata që kanë pjesë e gazetarisë së asaj kohe. Dihet që shumë prej tyre pas viteve 90-të, penetruan në mediat e sapohapura të asaj kohe, u bënë publicistë dhe janë sot e kësaj dite në krye të tyre. Madje, në dosjet e Ministrisë së Brendshme dhe vendimet gjyqësore të kohës figurojnë persona të cilët kanë ndihmuar dhe në dënime politike, por që sot janë drejtues të lartë mediash. Gjithsesi, në një rast evidentimi kjo pikë mund të hapë shumë debat, duke pasur parasysh dhe ndjeshmërinë që mund të ketë në opinionin publik. Askush smund të pranojë që dikush, i cili ka dënuar një person për diçka të shkruar, sot të dalë të flasë në emër të fjalës së lirë. Madje në vitin 1995, në një ligj të qeverisë së asaj kohe, ku ndaloheshin ish-bashkëpunëtorët e regjimit të punonin në administratë publike, një pikë ishte dhe ndalimi i tyre në poste të larta mediatike. E njëjta gjë ka ndodhur dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve apo në TVSH, ku ata që iniciuan persekutimin e shkrimtarëve dhe artistëve përgjatë regjimit komunist, vazhduan të jenë në majat e publicistikës ose janë dhe sot e kësaj e dite.
Neni 4 (b
Evidenton personat, që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse komuniste, përgjegjës për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, në veprime represioni në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga perëndim, pamundësinë për tu informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime përmes tollonave.
Neni 7 (2
Anëtarët e bordit duhet të jenë personalitete të njohura, nga komuniteti akademik dhe shoqëria civile, të cilët zotërojnë aftësi profesionale dhe kanë dhënë kontribut, që krijojnë bindje se mund të mbështesin institutin në realizimin e misionit dhe detyrave të tij. Anëtarët e bordit duhet të plotësojnë të gjitha kushtet që parashikojnë afatet ligjore për nëpunësit e lartë të shërbimit civil. Nuk mund të jenë anëtarë bordi personat që janë objekt i lustracionit, sipas ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”
Neni 5
Instituti është i autorizuar të përdorë të dhëna personale, kur është e domosdoshme, për përmbushjen e detyrave, duke garantuar privatësinë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Të gjitha strukturat dhe organet shtetërore, njësitë e qeverisjes vendore, organizatat, tërësisht ose pjesërisht buxhetore, që financohen nga qeverisja vendore, arkivat dhe të gjitha njësitë apo strukturat e tjera, që disponojnë dokumente dhe materiale arkivore që i përkasin asaj periudhe, janë të detyruara ti vënë ato në dispozicion dhe ti ofrojnë institutit asistencën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›