E Diel, 1 Nëntor 2026

Agjentë të posaçëm për rrjetet e drogës në Durrës

25/01/2010  Dërgohen nga Ministria e Brendshme, në 2 javë 4 operacione të suksesshme
DURRES- Një ekip me specialistë të kualifikuar të Drejtorisë së përgjithshme të Ministrisë së Brendshme janë vendosur në Durrës prej 2 javësh për të ndëshkuar rrjetet dhe vatrat e drogës në prefekturën bregdetare.
Aksionet
Edhe pse kanë qenë fare pak ditë që na koha kur specialistët e Tiranës janë vënë në veprim kanë mundur së bashku me efektivat e Durrësit të sekuestrojnë 55. 3 kg drogë si dhe të vënë në pranga autorët e trafikut ilegal. Përfshija e Durrësit në hartën problematike të kultivimit, përpunimit, shpërndarjes dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, ka shtyrë Ministrinë e Brendshme të vërë në veprim struktura të specializuara. Ish-ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi, pati deklaruar se në Durrës janë 6 familje mafioze dhe afro 50 grupe kriminale të strukturuara të trafikut të drogës, prostitucionit, kontrabandës etj. Ndonëse në vitet e fundit kultivuesit e drogës, përpunuesit dhe shpërndarësit janë bërë objekt i shumë aksioneve, agjentët e Durrësit nuk kanë mundur të detyrojnë këto rrjete të tkurren. Madje për muaj të tërë policia e Durrësit nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e asnjë rrjeti. Pikërisht informacionet që mbërrinin në Ministrinë e Brendshme dhe pamundësia e agjentëve të Durrësit për të goditur trafikantët e drogës ka kërkuar riorganizim të strukturave. Mendimi i ministrit Olldashi para disa kohësh është përforcuar nga ish kreu i organit të akuzës në Durrës, Nasip Naço, i cili sot ka mandatin e deputetit të Kuvendit. Naço pati pohuar se Durrësi mbetet nyje problematike e aktivitetit kriminal të disa grupeve që synojnë trafikun e drogës dhe shfrytëzimin e prostitucionit. Një sërë aksionesh janë organizuar në zonën malore të Krujës, Ishmit, Shijakut, Manzës etj për të gjetur e asgjësuar parcelat me drogën e kultivuar të llojit cannabis sativa. Qindra bimë janë prerë e djegur, por ende qarku i Durrësit mbetet ndër zonat më problematike në këtë drejtim. Për ta nxjerrë përfundimisht këtë qark bregdetar nga problematika, Ministria e Brendshme fillimisht ka emëruar në krye të policisë drejtues Aleks Hajdarin dhe në mbështetje të titullarit të ri ka dërguar edhe një grup specialistësh. Në dy javët e fundit janë organizuar katër operacione, të cilat kanë rezultuar me sukses. Sipas burimeve që nuk vinë nga dikasteri qendror, specialistët e Tiranës do të qëndrojnë edhe për disa kohë në zbatim të të tjera operacioneve, fijet e të cilave qëndrojnë në Drejtorinë e Antidrogës në Tiranë.
OPERACIONET
Mjeti i braktisur me 2 kg heroinë
Rreth 2 kg e llojit heroinë është gjetur e braktisur në një mjet dhjetë ditë më parë në aksin rrugor Durrës-Shijak. Sasia prej 1 kg e 869.4 gram e llojit heroinë është gjetur në një autoveturë të markës Volgsvagen Golf, e cila ka qenë e braktisur në anë të rrugës nacionale. Bashkë me sasinë e heroinës në mjetin në fjalë është gjetur edhe një sasi prej 0.35 gram lëndë narkotike e dyshuar si kokainë si dhe 4.4 gram lëndë bimore e llojit kanabis sativa. Policia nuk ka mundur të identifikojë personat edhe 10 ditë pasi ka zënë drogën në anë të rrugës për në Shijak.
“Emigranti”, kapen 24 kg drogë
Plot 14 kg lëndë narkotike canabis sativa është zbuluar në pikën e kontrollit antidrogë në portin e Durrësit tre ditë më parë. Hashashi ishte strehuar në autoveturën me targa BG 820 XV e markës Fiat Punto. Autovetura në fjalë drejtohej nga shtati Flamur Xeka 32 vjeç, ndërsa si pasagjer me të udhëtonte drejt Italisë edhe Shkëlqim Xaka 27 vjeç. Të rinjtë emigrantë në Itali, Flamur Xeka dhe Shkëlqim Xaka që të dy nga Mamurrasi i Kurbinit janë arrestuar në flagrancë. Pak orë pas tyre është arrestuar edhe Ernest Alia, 38 vjeç, banor i Mamurrasit, pasi në banesën e tij u gjet 9.3 kg hashash, dy armë automatike model 54 dhe 56, 1065 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy presa për ngjeshjen e lëndës narkotike si dhe sasia prej 700 000 lekë.
Drogë nga Lazarati
Operacioni “Transportuesi” organizuar nga policia e Durrësit në aksin rrugor nacional Rrogozhinë-Durrës ka bllokuar 20.1 kg lëndë narkotike e llojit canabis sativa. Lënda narkotike ishte fshehur në pjesën e pasme të autoveturë me targa të huaja RI 73 VTË dhe vinte nga Lazarati. Fillimisht është folur se malli ishte i destinuar për Tiranë, por më pas rezultoi se automjeti do të parkohej në Durrës e që aty për tregun e huaj. Në pranga kanë rënë Briano Dosku 2 vjeç, Mariglen Basha 23 vjeç dhe Rinor Hajdanri 21 vjeç. Autovetura e huaj është bllokuar në afërsi të Golemit pas informacione të sigurta që janë sistemuar në Drejtorinë e përgjithshme të Ministrisë së Brendshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›