Qeveria do të vendosë ngritjen e një Task-Force për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e të ekzekutuarve të regjimit
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha bëri të ditur se javën që vjen qeveria do vendosë ngritjen e një Task Force, e cila do të merret me kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e të ekzekutuarve nga regjimi diktatorial.
Në këtë kuadër, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Brendshme hartimin e një projekti, i cili do të shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave. Duke qenë se kjo do të jetë një procedurë e përcaktuar shtetërore, kryeministri kërkoi që të gjitha institucionet t’u përgjigjen detyrimeve të tyre.
“Dua tu informoj se javën që vjen qeveria do të vendosë ngritjen e një Task Force, e cila do të merret me kërkimin, gjetjen, e trupave të burrave dhe grave, intelektualëve të këtij vendi, punonjësve që u ekzekutuan barbarisht nga regjimi hoxhist, vetëm e vetëm se besonin tek fjala e lirë, tek zoti, tek vendi i tyre, pra ne vlera që janë sa hyjnore aq edhe njerëzore.”
10/02/2010