Kryeministri Berisha pret në takim Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, z. Ranko Krivokapic
Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, z. Ranko Krivokapic.
Të dy personalitetet vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe shprehën bindjen se projektet e përbashkëta infrastrukturore do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të vendeve respektive, si dhe të rajonit në tërësi.
Kryeministri Berisha vlerësoi progresin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke premtuar mbështetje edhe për anëtarësimin në NATO. Kryeministri Berisha theksoi interesin dhe vëmendjen e tij të posaçme në forcimin e Malit të Zi si një shtet i pavarur i suksesshëm dhe me rol të rëndësishëm në rajon.
Kryeministri Berisha falënderoi Kryetarin e Parlamentit malazez për rolin shumë të rëndësishëm e pozitiv të Malit të Zi në lidhje me Kosovën, si gjatë luftës, ashtu edhe gjatë procesit të pavarësisë.
Nga ana e tij, Z. Ranko Krivokapic theksoi vlerat e përbashkëta morale dhe humanitare të të dy popujve, të shfaqura gjatë luftes, vendosmërinë e Malit të Zi për t’u distancuar nga politika e pastrimit etnik, të ndjekur në atë lufte, si dhe politikën e stabilitetit dhe paqes, të ndjekur gjatë procesit të pavarësisë së Kosovës, konkretizuar me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe me Kosovën.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha renditi një sërë projektesh me interes të përbashkët në fushën e turizmit, infrastrukturës, energjetikës, mbrojtjes së mjedisit, etj.
Kryeministri përmendi projektin e thellimit të lumit Buna, si një projekt shumë të rëndësishëm për turizmin dhe ambientin. Po ashtu përmirësimin e pikës së përbashkët doganore për lehtësimin e procedurave të kalimit të njerëzve dhe shkëmbimit të mallrave. Kryeministri vuri theksin e zhvillimit rajonal nëpërmjet projekteve të përbashkëta, si një moment kyç suksesi. Gjithashtu Kryeministri falënderoi Malin e Zi për ndihmën dhe solidaritetin e treguar gjatë përmbytjeve natyrore në zonën e Shkodrës.
Takimi u mbyll me sigurimet e përbashkëta për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale.
10/02/2010