E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria do të kompensojë të gjithë dëmin e shkaktuar nga fatkeqësia në Gërdec

Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me Shtabin e Emergjencës pranë Bashkisë së Vorës. Kryeministri u interesua për ecurinë e operacionit të kërkim shpëtimit dhe të pastrimit të terrenit nga predhat, si dhe për sigurinë atje.

Kryeministri kërkoi shpejtimin e punës nga forcat e angazhuara për kërkimin e viktimave të mundshme, si dhe për pastrimin e zonës nga predhat, në mënyrë që të procedohet më tej me sistemimin dhe rindërtimin e banesave dhe të gjithë infrastrukturës së zonës. Kryeministri theksoi gjithashtu se çdo hap i punës duhet të ndërmerret në koordinim dhe mirëkuptim me banorët e zonës. 

“Dua t’ju falënderoj të gjithëve ju, të falënderoj kryetarin e bashkisë së Vorës, për punën me përkushtim që po bën, sikundër kam ardhur sërish të siguroj qytetarët e bashkisë së Vorës se qeveria do të kompensojë një për një të gjithë dëmin e shkaktuar nga kjo fatkeqësi”, u shpreh kryeministri.

Duke theksuar se problemet janë të shumta, Kryeministri kërkoi që një grup pune të verifikojë  fëmijët të cilët nuk kanë kushte për të jetuar në familjet e tyre, të bëhet një listë e tyre, në mënyrë që ata të sistemojmë në qendrat për kujdesin e fëmijëve. Kjo është e domosdoshme.

Gjithashtu, Kryeministri shprehu angazhimin e plotë të qeverisë në gjetjen e trupave të tjerë të humbur. “Duhet të bëjmë çdo përpjekje që na takon për t’u gjetur viktimat atyre që ende nuk i kanë. Ata e kanë të hapur varrin në mes të shtëpisë. Unë i mirëkuptoj rreziqet aty, por kam besim edhe tek profesionalizmi dhe përkushtimi i forcave tona. Duhet të gjejmë mënyrat më efikase që të mund të gjejmë viktimat, të marrim vesh nëse në ato gërmadha ka apo jo të tjerë njerëz, sepse ende na mungojnë 5 qytetarë”, tha Kryeministri.

Një tjetër çështje e rëndësishme e theksuar nga kryeministri ishte vendimi marrë për dhënien e një pensioni të veçantë për viktimat, duke i trajtuar ata si të rënë në detyrë. “Zoti kryetar i Bashkisë, duhet të informosh familjet e viktimave, se atyre do t’u lidhet pension i përshtatshëm. Ne nuk mund t’ua kthejmë dot familjarët e tyre të dashur, por nga ana materiale mundet që ata t’i trajtojmë si të rënë në detyrë, me pension të veçantë, ashtu siç ata e meritojnë”, theksoi Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri kërkoi që të vazhdohen konsultimet me banorët e Gërdecit, Vorës, Marqinetit, Marikaj, për mënyrën e kompensimit të tyre. “Ne na duket më i saktë shpërblimi direkt i tyre në para dhe krahas kësaj, të përpiqemi t’i ndihmojmë me ato mundësi të tjera që kemi. Ne do të kompensojmë shtëpitë dhe gjithçka që ata kanë humbur”, vijoi Kryeministri, ndërsa nënvizoi se edhe infrastruktura e fshatit duhet të rindërtohet. Grupet e inxhinierëve duhet të angazhohen e të bëjnë projektet përkatëse.  

Kryeministri bëri të ditur se ministri i Financave, së bashku me një grup ekspertësh, po përcaktojnë skemat e ndihmës më të shpejtë për biznesin e dëmtuar, pasi edhe ato duhet të ripërtërihen sa më shpejtë, në mënyrë që banorët të ripunësohen.

Kryeministri vlerësoi punën e bërë deri tani nga shtabi i emergjencës. “Puna e përgjegjshme e grupeve të punës në këtë terren ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Unë ju përgëzoj për punën që keni bërë sot, ku keni realizuar 1300 vlerësime. Me një preventiv korrekt, mund të përcaktohen më pas çmimet e çdo hap tjetër i nevojshëm, në mënyrë që të procedojmë me shpejtësi”, tha Kryeministri.

Për sa i përket çështjes së minave dhe municioneve, Kryeministri u interesua se kur do të nisë eksplodimi i tyre. Ekspertët theksuan se këto municione janë lokalizuar dhe identifikuar, por për efekte psikologjike më lehtësuese, eksplodimi i tyre është mirë të bëhet i grupuar dhe jo në çdo vend dhe çdo ditë. Ky proces do të bëhet menjëherë sapo të përfundojë operacioni i kërkimit të njerëzve.       

Kryeministri theksoi se nëse është e domosdoshme për mbarëvajtjen e këtij procesi, qeveria është e gatshme t’u kërkojë ndihmë edhe vendeve mike, KFOR-it që ka shprehur gatishmërinë, etj, në mënyrë që të finalizohet ky proces sa më shpejtë. Banorët me të drejtë kanë dëshirë të qëndrojnë pranë shtëpive të tyre, por edhe jetesa e tyre në çadra është e vështirë, theksoi ai.

Kryeministri tha se çdo hap i tillë duhet të ndërmerret në bashkëpunim dhe mirëkuptim me banorët. Ai sugjeroi që në çadra të sistemoheshin vetëm djem e burra, kryefamiljarë, ndërsa gratë dhe fëmijët te vazhdonin të ndihmoheshin në qendrat e konvaleshencës. Ai tha se këto qendra po përshtaten si shtëpi banimi dhe qeveria po bën çdo përpjekje për të krijuar kushte sa më optimale për ta.

Kryeministri Berisha falënderoi mediat për rolin e tyre në trajtimin e kësaj ngjarjeje të rëndë. “Mediat në tërësi kanë luajtur një rol shumë pozitiv. Ka prej tyre që po gëzojnë dhe kjo është gjëja më makabër. Por diversiteti është pjesë e një shoqërie”, u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›