E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria do vazhdojë reformat në fushën e mbrojtjes me synim rritjen e kontributit të FA në misionet e NATO-s

03-06-2013 / Gazeta 55

U zhvillua në Tiranë Takimi i Komitetit të Inteligjencës ushtarake të NATO-s

Në datën 29-31 maj 2013 u zhvillua në Tiranë Konferenca e Komitetit të Inteligjencës Ushtarake të NATO-s. Është hera e parë që një takim i këtij niveli zhvillohet në vendin tonë.
Në takim morën pjesë drejtues të agjencive/shërbimeve të inteligjencës ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s, drejtues të strukturave të inteligjencës ushtarake të NATO-s, drejtues komandash operacionale,  si dhe drejtues të shërbimeve të inteligjencës ushtarake të vendeve jo anëtare të NATO-s, partnerë operacionalë të saj.
Hapjen e punimeve të Konferencës e përshëndeti ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, i cili falënderoi organizatorët për besimin dhe mundësinë dhënë Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes për organizimin në Tiranë të këtij takimi të rëndësishëm dhe të nivelit më të lartë të inteligjencës ushtarake të NATO-s. Në fjalën e tij z. Imami ritheksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për reforma në fushën e mbrojtjes në përmbushje të standardeve me synimin e rritjes së kontributit të Forcave tona të Armatosura në familjen euroatlantike. Mbështetja me inteligjencë, tha ndër të tjera ai, është thelbësore për suksesin e operacioneve aktuale dhe atyre të ardhme në një kohë që fuqia ushtarake po zëvëndësohet me fuqi inteligjence. Ministri Imami njohu pjesëmarrësit, ndër të tjera, edhe me reformat e ndërmarra kohët e fundit në komponentin e inteligjencës ushtarake, mbi krijimin e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, e cila për nga misioni, baza ligjore dhe kapacitetet është tashmë një pjesë e denjë e makinerisë informative në mbështetje të vendimarrjes së NATO-s në të gjitha nivelet.
Përfaqësues e drejtues të strukturave të inteligjencës së NATO-s dhe komandave të saj operacionale vlerësuan maksimalisht kontributin që Forcat tona të Armatosura po japin në operacionet e NATO-s. Inteligjenca ushtarake shqiptare është tashmë pjesë e rëndësishme kontribuese me informacion dhe personel në mbështetjen me inteligjencë të vendimarrjes dhe operacioneve aktuale të NATO-s. Ata falënderuan ministrin e Mbrojtjes dhe drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës se Mbrojtjes për organizimin e shkëlqyer dhe atmosferën miqësore të zhvillimit të takimit në Tiranë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›