Qeveria, ndjeshmëri ndaj personave me aftësi të kufizuar, plan për punësimin e tyre
Kryesuesi i listës së PD në Qarkun e Elbasanit, Arben Imami takon personat me aftësi të kufizuar
Kandidati i Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, z. Arben Imami, zhvilloi një takim me Shoqatën e Personave me Aftësi të Kufizuara, të këtij qarku. Z.Imami theksoi se qeverisja e Partisë demokratike në këto 8 vjet ka arritur të zbusë varfërinë, të nxisë integrimin shoqëror, garantimin e të drejtave dhe standardeve të ndihmës e për kujdesin e individëve dhe grupeve në nevojë. “Në këto vite është mbi-dyfishuar fondi për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara. Të gjitha pagesat për personat me aftësi të kufizuara janë rritur ndjeshëm në këto vite, madje për kategori të veçanta janë futur kompensime dhe pagesa të cilat nuk ekzistonin më parë. Qeverisja socialiste nuk shpenzonte asnjë qindarkë deri në vitin 2005 për kompensimin e paketës higjeno-sanitare për para-tetraplegjikët. Sot ky kompensim arrin në 16.000 lekë në muaj për çdo përfitues. Pagesat janë mbi dyfishuar në mënyrë të ndjeshme veçanërisht për të rinjtë me aftësi të kufizuar që ndjekin arsimin e mesëm dhe të lartë, duke arritur sot në 27.900 lekë në muaj për para-tetraplegjikët dhe 31.800 për të verbërit. Kjo qeveri u njohu kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuara të drejtën për të përfituar sigurinë shoqërore”- u shpreh Imami.
Kryetari i shoqatës së të verbërve në Elbasan ka vlerësuar PD për mundësitë e shkëlqyera që i ka krijuar kësaj shtrese që sipas tij “ i ka dhënë mundësi personave me aftësi të kufizuar të arsimohen, ku të verbërit kanë qenë në plan të parë për arsimimin dhe janë ndihmuar edhe me paketa përkatëse të ndihmave”. Ai i ka kërkuar Ministrit Imami mundësitë dhe politikat konkrete për punësimin e kësaj shtrese nga ana e qeverisë shqiptare. “Shoqëria jonë është e mbështetur tek solidariteti, dhe ne si shoqëri kemi bërë hapa përpara në këtë drejtim sepse kemi hyrë në një shoqëri demokratike”, ju drejtua Imami invalidëve të pranishëm në takim.
Duke u ndalur tek programet që ka realizuar qeveria për këtë shtresë, Imami tha se “ është rritur gama e mbështetjeve për këtë shtresë, janë krijuar disa avantazhe të reja. Ajo që ne duhet të punojmë më shumë është një mbështetje më të lartë, të bëjmë maksimumin për riintegrimin, punësimin e atyre personave me aftësi të kufizuar”, që sipas Imamit do të jetë në fokusin e qeverisë në katër vjeçarin e ardhëm. “Ne do të shkojmë në rrugën e zgjerimit të ekonomisë, ata që do të përfitojnë të parët janë këto shtresa në nevojë. Rritja ekonomike do të jetë premisa që mbështetja e shoqërisë dhe e shtetit të jetë më e madhe”, tha Imami duke premtuar edhe një herë se kjo do të jetë një nga fokuset kryesore të politikave sociale nga ana e qeverisë.
Imami është ndalur tek fatura sociale duke thënë se kjo faturë është rritur shumë në këto tetë vitet e fundit, duke shtuar se kjo përpjekje do të vijojë të bëhet. “ Shpejt ne mbyllim një program të madh për një rregjistër të dixhitalizuar për ndihmën ekonomike, dhe pas kësaj, shanset do të jenë shumë më të mëdha. Rregjistri dixhital do të bëjë të mundur të ketë një kontroll të mirë dhe përdorim të mirë të fondeve duke pasur kështu katër vitet e ardhshme, një përmirësim të mëtejshëm të kësaj shtrese”, theksoi ai.
Gjatë këtij bashkëbisedimi ivalidët kanë falenderuar qeverinë shqiptare për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë këtyre viteve të fundit, për politikat që ka qeveria në të ardhmen, në veçanti edhe për realizimin e rregjistrit kombëtar për mbështetjen sociale në përgjithësi., ku paraja do të shkojë tek ai i cili e meriton.