PD prezanton kandidatët në Bushat, Berisha: Ju ftoj të votoni për mandatin e artë, të 8-in
Entuziazëm i jashtëzakonshëm në komunën e Bushatit, në pritjen e organizuar për kryeministrin Sali Berisha
Partia Demokratike vijoi sot tubimin elektoral në komunën e Bushatit, për prezantimin e kandidatëve për deputetë. Kryeministri Berisha iu tha fermerëve se plani i Edi Ramës për të hequr TVSH-në e importit për vezen, grurin, miellin dhe qumështin është i rrezikshëm për ta.
“Shoku i autobusit që endet si Nastradini nëpër rrugët e Shqipërisë, ju deklaroi dje qytetarëve të Delvinës që do të heqim TVSH, do të heqim taksën e vlerës së shtuar për pesë produkte bujqësore. Kjo do të thotë t’ju kalbësh në ara grurin, kjo do të thotë t’jua falimentosh fermat e lopëve, sepse TVSH është mbrojtja që shoqëria shqiptare ju bën fermerëve shqiptarë nga ushqimet e importuara. Të heqësh TVSH e miellit, të grurit apo të bukës do të thotë që mielli, gruri që vjen nga Ukraina e Argjentina të fshijë çdo kalli gruri në Shqipëri. Të heqsh TVSH për qumështin apo vezën do të thotë që qumështi i lopëve të Bashkimit Europian, që marrin subvencion çdo ditë 3.5 euro, i juaji të mos mund konkurrojë kurrë me të dhe qumështi në shtëpitë tuaja të mbetet për tu derdhur. Të heqësh TVSH për vezët e pularive gjigande të Europës, do të thotë që pularitë tuaja të falimentojnë brenda gjashtë muajve. Të heqsh TVSH e ushqimeve do të thotë të godasësh në mënyrë fatale përpjekjen tuaja titanike për të ngritur në Shqipëri fermat konkurruese, për të prosperuar veten për të zhvilluar Shqipërinë. Të heqesh TVSH për ushqimet do të thotë të rrëzosh përtokë fermat shqiptare, mundin dhe djersën e fermerëve shqiptar, sepse ajo është e vetmja mburojë që ju mbron juve nga një vërshim i gjithanshëm i prodhuesve gjigant të vendeve të tjera që marrin subvencione kolosale”, u shpreh Berisha.
Për të bërë edhe më shumë efekt taksën prej 10% e lidhi edhe me Zotin. “Nga autobusi i tij mavi, Nastradini, përpiqet t’ju mashtrojë ju dhe thotë se taksa e sheshtë është e pandershme. Lexoni Biblën, lexoni Kuranin të dhjetat janë taksa më e ndershme kësaj toke. Të dhjetat, janë taksa e Zotit , taksa e kohërave. Të gjitha taksat e tjera mbi të dhjetat janë shtypëse, shfrytëzuese dhe kurrë nuk duhet ti pranoni. Ky mashtrues, ky Nastradin që kalon me autobusin e tij mavi ju servir juve matematikën e mashtrimit dhe ju thotë juve se, me këtë taksë, deputeti dhe infermieri paguajnë të njëjtën taksë. Mashtrim i pa skrupullt. Deputeti me rrogën e tij 140 mijë lekë paguan me këtë taksë 14 mijë lekë, infermierja me rrogën e saj 40 mijë lekë, paguan me këtë taksë 4 mijë lek, paguan me këtë taksë tre herë më pak sesa deputeti. Kjo është taksa e ndershme, sepse ata që marrin më pak paguajnë më pak, ata që marrin më shumë paguajnë më shumë dhe sa herë më shumë marrin aq herë më shumë paguajnë. Ndaj dhe shoku i autobusit do t’ju paraqesë ju për të ndershme taksën e Marksit, taksën e Spiro Kolekës, taksën me të cilat rrënohen bizneset, rrënohet e ardhmja”, sqaroi kryeministri.
Por Bushati është përmbytur disa herë dhe paratë ende nuk i ka marrë të gjitha. Kryeministri u foli për vështirësitë financiare të KESH-it, tashmë të kapërcyera. “Jam këtu prapë për tu thënë se në mënyrë absolute do merrni qindarkë për qindarkë ato që ju takojnë dhe për këtë është garant qeveria dhe Sali Berisha. Në qoftë se ato u shtynë, u shtynë sepse ligji përcakton se duhet ti paguajë KESH-i dhe sapo KESH-i erdhi në gjendje, qeveria nuk i mori, por përkundrazi i kërkoi asaj që paratë t’jua kthejë juve dhe do t’jua kthejë qindarkë për qindarkë. Alternativa jonë është alternativa e mundit e djersës , është alternativa e begatimit, e dinjitetit e ecjes përpara. Pasi sqaroi këtë moment, kryeministri garantoi më shumë zhvillim për Bushatin dhe shndërrimin e tij në Bashki. Ai dhe kandidatët për deputetë e kërkojnë nga Bushati mandatin e tetë të në Qarkun e Shkodrës”, vlerësoi Berisha.
Pasi sqaroi këtë moment, kryeministri garantoi më shumë zhvillim për Bushatin dhe shndërrimin e tij në Bashki. Ai dhe kandidatët për deputetë e kërkojnë nga Bushati mandatin e tetë të në Qarkun e Shkodrës.
“Me 23 qershor mandati juaj i tetë është mandati i artë. Është mandati i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave të vendosur, për të marrë statusin e vendit kandidat. Ju ftoj juve me 23 qershore të bëni gjithçka me një vendim solemn për t’i dhënë Shkodrës, Shqipërisë, mandatin e artë, mandatin e tetë për të sjellë Gjok Uldedën në parlamentin Shqiptarë. Gjok Uldedaj përfaqëson juve, vlerat tuaj. Deputetët e Shkodrës, përfaqësojnë juve, vlerat tuaja, interesat tuaja. Jemi të vendosur për të integruar Shqipërinë në Bashkimin Europian, të vendosur për krijimin e mijëra vendeve pune në Shkodër në Shqipëri dhe kudo. Të vendosur për rritje rrogash dhe pensionesh. Për zhvillimin e Bushatit, për zhvillimin e Shkodrës. Për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë Europiane”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Arsimi profesional është një ndër angazhimet kryesore. Tani Bushati ka një shkollë të tillë kombëtare ku mësojnë 160 nxënës me kohë të plotë edhe 200 me kohë të pjesshme. Kryeministri pa ambientet e saj, drejtoi edhe një ftesë ndaj fermerëve
“Ftojmë fermerët shqiptarë të përfitojnë nga ky sistem shkollash moderne, sepse për fermën e tyre nuk ka asgjë më të çmuar sesa dijet dhe ekspertiza e specialistëve të shkolluar”, tha Berisha.
Në vend sot funksionojnë 10 shkolla të këtij profili dhe brenda dy viteve numri i nxënësve në to është rritur me 35 përqind.