Qeveria e Birmanisë lejon protestat

Presidenti i Birmanisë, Thein Sein, ka nënshkruar një ligj që lejon për herë të parë mbajtjen e protestave paqësore, raportojnë mediat shtetërore të vendit.
Ligji i ri u kërkon personave të interesuar të kërkojnë një leje të paktën pesë ditë para mbajtjes së protestës. Të gjitha manifestimet më parë kanë qenë të ndaluara.
Bëhet fjalë për reformën më të fundit të ndërmarrë nga qeveria civile e Birmanisë, që kur regjimi ushtarak dorëzoi pushtetin më herët gjatë vitit.
Ligji i ri për protestat vjen pasi sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, përfundoi një vizitë zyrtare në këtë vend.
Javën e kaluar, Clinton u takua kokë më kokë me presidentin Sein, e më pas edhe me lideren pro-demokratike Aung San Suu Kyi, e cila tha se Birmania ka hyrë tashmë në rrugën e demokracisë.