E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e Kirgistanit kërkon ndihmë nga rusët: Na shpëtoni

Kriza Përshkallëzohet dhuna etnike në vendin aziatik

Qeveria e përkohshme në Kirgistan i ka kërkuar Rusisë që ta ndihmojë për t’u dhënë fund përplasjeve etnike në qytetin jugor të Oshit, në të cilin së fundi janë vrarë mbi 60 persona. “Ne kemi nevojë për trupat e huaja për të vendosur qetësinë dhe paqen”, ka deklaruar liderja e vendit, Roza Otunbayeva. Por Rusia ka deklaruar se për momentin nuk do të dërgojë trupa në këtë vend. Mijëra uzbekës etnikë kanë rendur në kufi për t’u shpëtuar luftimeve të ashpra mes kirgistanëve dhe uzbekëve që po zhvillohen që prej dy ditësh. Në një njoftim televiziv, zonja Roza tha se i kishte dërguar një letër Presidentit të Rusisë, Medvedev, në të cilën i kërkonte që të dërgonte përforcime ushtarake në vendin e saj për të qetësuar situatën. Sipas saj, situata në Osh ishte tërësisht jashtë kontrollit. Rusia nuk është e përgatitur që të dërgojë trupa në Kirgistan, edhe pse situata në këtë vend është me të vërtetë e rëndë, kjo të paktën në rrethanat aktuale, por do të dërgojë ndihma humanitare në rajonin e ngërthyer nga dhuna. Ky ishte edhe njoftimi i dhënë nga Presidenti i Rusisë, Medvedev. Ndërkohë ai do të bisedojë me liderë të tjerë të rajonit në lidhje me zgjidhjen e krizës. 150 ushtarët rusë që ndodhen në bazën ushtarake të Kirgistanit nuk kanë marrë asnjë lloj urdhri për të vepruar apo për t’u përzier në këtë situatë të rëndë. Të dhënat zyrtare flasin për 60 të vdekur dhe më shumë se 600 të plagosur nga përleshjet më të egra që nga muaji prill, kur Presidenti i Kirgistanit, Kurmanbek Bakiyev, u rrëzua me forcë nga pushteti. Uzbekët po përpiqen të kalojnë kufirin për në vendet fqinje, por pikat kufitare janë të mbyllura. Korrespondenti i BBC-së thotë se shtëpive të tyre u është vënë zjarri. Ditën e premte, në qytetin e Oshit, qyteti i dytë në vend, u vendos një orë policore, po ashtu edhe në qytetet përreth. Sipas të dhënave, lufta nisi mes disa bandave rivale, të cilat u përleshën me armë dhe më pas qindra të rinj u nisën drejt qendrës se qytetit, duke plaçkitur dyqanet dhe thyer dritaret e tyre. Dëshmitarë okularë thonë se betejat me armë vazhduan gjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit dhe se u është vënë zjarri të paktën dhjetë makinave. Qeveria e përkohshme e Kirgistanit po has në vështirësi për ruajtjen e rendit.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›