Qeveria e Kosovës vendos që 28 nëntori të mos jetë festë shtetërore
Qeveria e Kosovës miratoi sot Projektligjin për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.
Në kalendarin festiv të Republikës së Kosovës janë përfshirë Viti i Ri, Dita e Republikës së Kosovës (17 Shkurti), Dita e Kushtetutës së Kosovës (9 Prilli), Dita e Punëtorëve (1 Maji), Dita e Evropës (9 Maji) dhe festat fetare të komuniteteve në Kosovë.
Në këtë kalendar nuk është përfshirë 28 Nëntori - Festa e Flamurit, si datë që është festuar në Kosovë në vazhdimësi, e po ashtu nuk është përfshirë as 12 qershori, dita e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që deri tani festohej si dita e çlirimit.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosovës i duhen festat e veta shtetërore.
"Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe multi-etnik, me territor të garantuar. Kosova është shtet, i ka festat shtetërore, por natyrisht se respektohen edhe festat kombëtare, ka Festën e Republikës, ditën e shpalljes së pavarësisë dhe festat e tjera. Ky është vetëm fillimi", tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Projektligji për Festat Zyrtare tani do t'i dërgohet Kuvendit për miratim.