Qeveria e merr seriozisht raportin e DASH-it
Qeveria e Kosovës thotë se i merr seriozisht vërejtjet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), në të cilin thuhet se në Kosovë ka korrupsion, ndërhyrje të qeverisë në fushën e rendit dhe në gjyqësor. Kurse zyrtarë të partive opozitare theksojnë se raporti është objektiv dhe konfirmon kritikat e tyre të deritashme.
Zëdhënësi Memli Krasniqi tha sot se Qeveria e Kosovës e ka mirëpritur raportin e DASH-it për të drejtat e njeriut, pasi ky është një raport i cili vjen prej një institucioni rëndësishëm. Ai tha se raporti në fjalë duhet të merret seriozisht, në mënyrë që kritikat dhe gjetjet nga ky dokument të përfshihen në qasjen e qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe dukuritë tjera negative.
“Ne mendojmë që raportet që vijnë nga institucionet e rëndësisë së veçantë si Departamenti i Shtetit duhet të merret shumë seriozisht dhe ato janë marrë vazhdimësi seriozisht. Kemi parasysh këto gjetje dhe këto rekomandime për t’i përfshirë në qasjen tonë në luftën kundër korrupsionit dhe dukurive tjera negative të cilat ende ekzistojnë si të trashëguara nga vitet e kaluara”, ka thënë Krasniqi, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar çështjet dhe pikat e dobëta që kanë ekzistuar deri më tani dhe që lidhen edhe me funksionimin e gjyqësorit, siç përmendet edhe në raport. Në këtë drejtim themelimi i Task Forcës, sipas tij, është hapi më konkret.
Zëdhënësi Krasniqi ka bërë të ditur se Task Forca, e cila do të funksionojë brenda Prokurorisë Speciale, do të ketë 30 policë hetues, 8 prokurorë vendor dhe ndërkombëtarë, pesë ekspertë të fushave të ndryshme që ndërlidhjen me shpëlarjen e parasë dhe fusha të ndërlidhura në mënyrë që të ketë një funksionim shumë më efikas të luftës kundër korrupsionit dhe rezultateve më të mëdha sivjet dhe në të ardhmen.
Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Avdi Smajlaj, ka kritikuar qeverinë aktuale se vetëm sa e ka “trashur” korrupsionin. Sipas tij, raporti nuk sjell asgjë të re, përveç se thekson shkallën e rritur të korrupsionit. “Korrupsioni pothuajse është mbjellë, është zhvilluar dhe ka lulëzuar nga të gjitha qeveritë e pasluftës. I vetmi ndryshim është që Qeveria që ka ardhur vetëm se e ka trashur korrupsionin”, ka thënë Smajlaj.
Edhe anëtari i kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri thotë se raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, tregon se nuk është vetëm AAK-ja kritikuese e punës së qeverisë aktuale.
“Ky raport në vete përmban akuza serioze për funksionimin e Qeverisë së këtij vendi, elemente që ndërlidhen me korrupsion dhe elemente të tjera që e dëmtojnë Kosovën. Mendoj që çdokush që është tash në Qeveri, duhet ta qesë gishtin në kokë dhe të mendojë nëse qenë vetëm AAK-ja, e cila qe dy vite është duke bërë kritika karshi këtyre fenomeneve apo qenkan edhe vendet mike, të cilat na kanë ndihmuar që të jemi të lirë, të sjellim Kosovën këtu ku është. Pra, kisha me thënë se është një ndër kritikat më serioze që kemi marrë nga bashkësia ndërkombëtare, pas raportit të progresit të vitit të kaluar”, ka thënë Tahiri.
DASH-i, në raportin vjetor për gjendjen e të drejtave të njeriut thekson se korrupsioni, ndërhyrja e qeverisë në forcat e rendit e sigurisë dhe në gjyqësor, mbeten ndër problemet kryesore në Kosovë. Raporti nënvizon se ka rënie të dhunës ndëretnike, por problem mbeten strukturat paralele të Serbisë.
Legjislacioni në Kosovë në masën më të madhe ofron mbështetjen e nevojshme për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në shumë fusha; nga respektimi i lirive themelore, atë për lirinë e shprehjes dhe mediave, mbrojtjen për pakicat, gratë e fëmijët.
Korrupsioni dhe gjyqësori mbeten problemet kryesore lidhur me gjendjen e të drejtave të njeriut në vend - janë vlerësimet e raportit më të fundit të Departamentit të Shtetit për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë.