PS-ja e Beratit: Rinumërimin në Berat vendoseni kusht për bojkotin e Kuvendit
Partia Socialiste e Beratit pas rezolutës së votuar në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ka kërkuar që gjatë Kongresit të kësaj partie që do të zhvillohet në gusht, rezolutës ti shtohet dhe kërkesa për bojkotin e Kuvendit derisa të rinumërohen dhe kutitë e kontestuara të Beratit. “Duke shprehur edhe një herë mbështetjen tonë, për Rezolutën e Asamblesë Kombëtare, parashtrojmë para Kongresit të PS-së, si mundësi për të përfshirë në Rezolutë, opsionin e mos prezencës në Kuvend të grupit parlamentar të PS-së deri në vendosjen në vend të Ligjit dhe hapjes po sipas ligjit të kutive të votimit të kërkuara prej nesh në Berat, me qëllim rinumërimin e votave të numëruara keq dhe rivlerësimin e fletëve të votimit të nxjerra të pavlefshme!”, - shkruhet në deklaratën e PS-së së Beratit. Më tej në këtë deklaratë shprehet vendimi i kësaj dege të PS-së në Berat për të mbështetur të gjitha pikat ekzistuese të rezolutës që votoi Asambleja. “Të mbledhur menjëherë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste vendosëm të mbështesim Rezolutën e Asamblesë Kombëtare si dhe qëndrimin e qartë të këtij forumi për zgjedhjet e 28 Qershorit në Shqipëri. Qëndrimin e qartë të Asamblesë Kombëtare shprehur në rezolutë për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 Qershorit si një rezultat që nuk pasqyron vullnetin e popullit shqiptar , njëherësh dhe të votuesve tanë në Berat. Qëndrimin e qartë të Asamblesë Kombëtare në denoncim të plotë e ligjor të shkeljeve të rënda të ligjit dhe kushtetutës së vendit, grabitjes e më pas deformimit të rëndë të procesit zgjedhor me rezultatin krejtësisht të papranueshëm për ne , si produkt të tij”, - shkruhet ndër të tjera në deklaratën e PS-së së Beratit.
1 Gusht 2009