E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re, Rama mbledh të hënën në Durrës ministrat

mbledhja e qeveriseQeveria e re do të zhvillojë një tjetër mbledhje informale para se të nisë zyrtarisht nga puna në 12 shtator. Edhe pse ende nuk është bërë zyrtare nga ana e selisë rozë, burime brenda Partisë Socialiste bëjnë me dije se mbledhja e dytë e kabinetit Rama pritet të zhvillohet ditën e hënë në Durrës. Sipas po të njëjtave burime, mbledhja ishte parashikuar të zhvillohej në Shkodër, por për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen të dielën në komunën Rrethinë të Shkodrës u vendos ndryshimi i vendit të takimit të ministrave.

Mbledhja

Në mbledhjen e së hënës pritet që ministrat e rinj ti prezantojnë kryeministrit të zgjedhur Edi Rama strategjitë për secilin dikaster, si dhe strukturën e ministrive që ata do të drejtojnë. Mësohet gjithashtu se pjesë e diskutimeve do të jenë edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me qeverinë duke përfshirë edhe nivelet e ulëta të qeverisë. Në ndryshim nga mbledhja e Vlorës e cila zgjati dy ditë, mbledhja që do të zhvillohet në Durrës pritet të jetë më e shkurtër. Ndërkohë ende nuk dihet nëse kjo mbledhje do të jetë e hapur për mediat apo sërish gazetarët do të qëndrojnë jashtë saj.

Mbledhja e Vlorës

Takimin e parë me të gjithë anëtarët e qeverisë, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama e zhvilloi në Vlorë, disa javë më parë. Në takimin e parë, theksi u veçanërisht tek programi i qeverisë në 300 ditët e para, ndërkohë që pjesë e diskutimit ishte përcaktimi i prioriteteve të para të qeverisë së re e cila do të nis nga puna në muajin shtator. Në mbledhjen e zhvilluar përgjatë dy ditëve, ministrat e rinj prezantuan projektet e para të tyre ndërkohë që i kërkuan kryeministrit të zgjedhur, Rama më tepër kohë për hartimin e projekteve të plota, pasi më parë ministrat e rinj kërkuan të njohin gjendjen aktuale të dikastereve që do të drejtojnë.  /Renato Dauti

 

 

Qeveria e re do të nis punë zyrtarisht në 12 shtator

Qeveria Rama pritet që të nis punë në datën 12 shtator. Data 9 shtator do të jetë dita kur do të mblidhet parlamenti i ri dhe ku 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit do të bëjnë betimin. Po në mbledhjen e datës, 9 pritet të zgjidhet edhe kryetari i Kuvendit, i cili tashmë sipas marrëveshjes PS-LSI do të jetë, Ilir Meta. Pas kësaj, parlamenti i ri do të votojë qeverinë e re, e cila me pas do ti dërgohet presidentit për ta dekretuar. Duke ju referuar Kushtetutës, kreu i shtetit ka 10 ditë afat për të dekretuar qeverinë e re, por sipas burimeve të presidencës, Presidenti Nishani do të dekretojë qeverinë e re brenda 24 orëve, pasi dekreti të mbërrijë në presidencë. Pas firmosje së dekretit nga Presidenti, në datën 12 ministrat e rinj do të marrin zyrtarisht drejtimin e dikastereve përkatës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›