Qeveria e re, pritet miratimi i marrëveshjes
SHKUP- Parlamenti i Maqedonisë në procedurë të përshpejtuar pritet të miratojë disa nga pikat e marrëveshjes së koalicionit të ri qeveritar.
Sipas marrëveshjes, këto çështje duhet të marrin dritën jeshile të legjislativit para formimit të Qeverisë së re.
Deputetë të BDI-së dje kanë dorëzuar pranë Parlamentit ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare, si dhe propozimi për mbylljen e rasteve të Hagës përmes interpretimit autentik të Ligjit për amnisti. Bashkë me këto kërkesa do të jenë edhe ndryshimet e Ligjit për Këshillin gjyqësor dhe këshillin e prokurorëve publik.
Nuk dihet akoma se në këtë pako të ligjeve që do të kalojnë në procedurë të përshpejtuar a do të jetë propozimi për zgjidhjen e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së, që do të bëhet në kuadër të ligjeve aktuale.
Këto ndryshime pritet të kalojnë sot në seancë apo gjatë ditëve të ardhshme, pasi që ato janë dorëzuar në procedurë të shkurtuar dhe përshpejtuar, para se të votohet Qeveria e re.
Nuk dihet se cila është marrëveshja për kishën në Kalanë e Shkupit, kishën në sheshin e Shkupit në kuadër të projektit Shkupi 2014 si dhe për fatin e ndërtimit të Burmali Xhamisë. Gjithashtu nuk jepen detaje se cilat janë kërkesat që BDI duhet ti pranojë në favor të VMRO-DPMNE-së. (INA)