E Diel, 1 Nëntor 2026

Kursi i këmbimit, jo panik!

Artan Gjergji 

Javën e fundit është vënë re një rritje e nivelit të shkëmbimit të kursit të monedhës sonë kombëtare lekut kryesisht ndaj valutës euro , ose e thënë ndryshe, një zhvlerësim i lekut.  Për rrjedhojë, edhe nën ndikimin e mediave që rendin pas lajmeve sensacionale dhe “bombastike”, vihet re një situatë e cila duket sikur po përkeqësohet dita-ditës. Njerëz, që kanë bërë zgjedhjen e gabuar dhe kanë marrë kredi në euro, pavarësisht se pagat i kanë në lekë, të cilët ndalojnë më shpesh pranë zyrave të këmbimit valutor për të parë “sa është ngritur euro sot”. Telefonata më të shpeshta nga biznesmenët nëpër departamentet e thesarit të bankave për të këmbyer sasi të mëdha valute “me ndonjë kurs të leverdishëm”. Kambistë të hutuar në qendër të Tiranës, të cilët  nuk është se të ngjiten aq shumë për të të blerë valutë, ose që detyrohen të bëjnë disa telefonata para se të të japin një “kurs të mirë”. Analistë të cilët flasin mbi “rrezikun e zhvlerësimit të lekut”, media që hapin sesionet e lajmeve me tituj që të trembin etj., etj .... e kështu historia vazhdon.
Po a është me të vërtetë që ndodhemi përpara një risku potencial për një zhvlerësim të mundshëm të monedhës kombëtare apo thjesht po trembemi pa vend??? Para se t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje le të fokusohemi shumë shkurt te disa prej faktorëve që mendoj kanë sjellë në një forcim të valutës euro kundrejt lekut shqiptar.
Fillimisht duhet theksuar që çmimi i çdo malli apo shërbimi në treg përcaktohet në bazë të kërkesës dhe ofertës për të. Edhe monedha e huaj kryesore në vendin tonë, euro, ka një treg të caktuar ku kërkohet dhe ofrohet nga operatorët ekonomikë që e përdorin në transaksionet e tyre. Për rrjedhojë, fakti që ka një “forcim” të euros (zhvlerësim të monedhës vendase, lekut, karshi euros) duhet të vijë kryesisht për dy faktorë. Së pari, forcimi i euros në tregjet ndërkombëtare (çka nuk rezulton të ketë ndodhur për periudhën në fjalë) dhe së dyti, rritja e kërkesës apo reduktimit të ofertës në tregun vendas, siç ka ndodhur edhe në Shqipëri.
Duhet thënë që për shkak se ekonomia shqiptare është një ekonomi në zhvillim, edhe kërkesa për importe (faktori kryesor që ndikon në rritjen e kërkesës për euro) nga vendet e BE-së është rritur vazhdimisht. Padyshim që kriza financiare ndërkombëtare dhe rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregjet e BE-së (me të cilat Shqipëria realizon rreth 88% të transaksioneve ekonomike), ka bërë që gjatë vitit të fundit të ketë pasur një rënie të lehtë të kërkesës për euro.
Parë në këtë këndvështrim gjykohet që shkaku kryesor i forcimit të euros në periudhën në fjalë rënia e ofertës në tregun vendas, ose e thënë ndryshe një lloj “mungese” e këtij instrumenti në treg. Më konkretisht, këtë mungesë “të përkohshme” për euron në treg e kanë shkaktuar faktorë të tillë, si rënia e dërgesave të emigrantëve e ndikuar kryesisht nga kriza e vendeve të punës në vendet ku jetojnë (vende të BE-së), kërkesa për euro e operatorëve të huaj ekonomikë që realizojnë investimet publike në Shqipëri për të riatdhesuar fitimet apo paguar punonjësit e tyre, rritja në nivele mjaft modeste e eksporteve shqiptare, lufta që ka bërë Shqipëria kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve (kryesisht me presionin e partnerëve ndërkombëtarë dhe detyrimeve që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në strukturat euro-atlantike) kanë bërë që të reduktohen në një masë jo të paktë të ardhurat në valutë që hynin në ekonominë e vendit në rrugë informale nga këto burime. Përveç këtyre faktorëve, po të shtojmë edhe rritjen jashtë mase të shpenzimeve publike në 6-mujorin e parë të vitit 2009, çka përkthehet në rritje të ofertës dhe për rrjedhojë rritje të sasisë së monedhës vendase në treg, ka krijuar presione për zhvlerësimin e lekut. Kjo ka qenë një tjetër faktor që e ka nxitur të ashtuquajturin “forcim” të euros karshi monedhës vendase.
Pavarësisht situatës aktuale të analizuar më sipër, duhet thënë që nuk ka tregues ekonomikë të rëndësishëm që të justifikojnë një zhvlerësim të vazhdueshëm të lekut karshi euros në muajt në vijim. Edhe pse gjatë fundit të viti 2008 dhe fillimit të vitit 2009, ekonomia e vendit u përball (qoftë edhe në mënyrë indirekte) me efektet anësore të krizës ndërkombëtare, duhet thënë që Shqipëria nuk doli shumë e humbur kryesisht për shkak të faktit që jemi një ekonomi e bazuar tek importi në raportin 4 me 1. Importet e lëndëve të para ishin shumë më lirë për shkak të krizës, për rrjedhojë edhe pse kemi humbur 1 euro eksport kemi importuar më shumë mallra me 4 euro import. Zhvlerësimi gradual i lekut që nga tremujori i fundit i vitit 2008, kishte edhe anën pozitive se i bëri eksportet shqiptare më të lira për blerësit e huaj.
Në anën tjetër, raportet e Bankës së Shqipërisë tregojnë për një rënie jo shumë të madhe të remitancave. Më konkretisht, gjatë 6 muajve të parë kemi pasur një rënie prej rreth 6% ose rreth 50 milionë euro nga dërgesat e emigrantëve. Një tjetër raport i kësaj banke raporton për një rritje prej mbi 150 milionë euro të investimeve të huaja në Shqipëri vetëm për 6-mujorin e parë. Ende s’ka të dhëna financiare nga prurjet e sektorit të turizmit, por statistikat zyrtare deri muajin gusht flasin për një numër turistësh shumë herë më të madh se vitet paraardhëse, çka përkthehet në më tepër valutë të huaj (kryesisht euro) të hyrë në vendin tonë. Gjithashtu, ashtu siç pritej në 6-mujorin e dytë të 2009 do kemi një rënie të investimeve publike, çka do të krijojë premisat për një forcim të lekut karshi monedhave të huaja.
Parë në këtë këndvështrim, personalisht mendoj që tregu i valutës në vendin tonë mund dhe duhet të jetë bërë pre e manipulimit nga disa operatorë të caktuar, të cilët me transaksionet e tyre në tregun formal dhe informal kanë krijuar presione në drejtim të zhvlerësimit të vazhdueshëm të monedhës kombëtare lekut karshi monedhave të huaja. Edhe pse nuk ka fakte konkrete për ta vërtetuar një fenomen të tillë, ky është i vetmi shpjegim logjik që mund t’i jepet situatës aktuale në tregun tonë valutor. Fatkeqësisht, në këtë situatë amullie dhe paniku të krijuar në treg ka një rol të rëndësishëm negativ edhe media, e cila vazhdon të bombardojë opinionin publik me lajme sensacionale, pa u bazuar thellë dhe në mënyrë analitike te shkaqet që kanë sjellë nënvleftësimin e lekut (një situatë ku çmimi i tregut është nën çmimin real). Kjo ka çuar edhe në një rritje të panevojshme të kërkesës së publikut për valutën euro, gjithmonë nën panikun e frikës së një rritjeje të mëtejshme në të ardhmen.
Pyetja që të vjen menjëherë në kokë është: po ç’duhet bërë??? Personalisht mbështes parimin e lënies së lirë të tregut, pasi mendoj se kërkesa dhe oferta do arrijnë të përcaktojnë një kurs më të drejtë dhe më afër realitetit. Megjithatë, në këtë skenar Banka e Shqipërisë (BSH), si institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e tregjeve monetare, duhet të jetë vigjilente ndaj “manipuluesve” të mundshëm, duke mos lënë jashtë analizës edhe bankat, ta cilat mund të jenë nga pas transaksioneve shumë të mëdha në tregun valutor informal (tregu i zi). Një tjetër zgjidhje do ishte ndërhyrja e BSH në tregun valutor nëpërmjet operacioneve financiare (ky mesazh u dha qartë nga Guvernatori para disa ditësh në një konferencë për shtyp). Gjithsesi, mendoj se kjo lëvizje do ishte kuruese, por jo parandaluese, për këtë rrjedhojë i duhet dhënë më tepër prioritet mbikëqyrjes strikte të këtij tregu.
Nëse flasim për zgjidhje afatgjatë, ka një sërë masash që do e ndihmonin stabilizimin e kursit të këmbimit valutor. Kështu, siç është thënë dhe diskutuar mjaft në media, financimi i deficitit të bilancit të pagesave (diferenca importe-eksporte) mbetet një ndër sfidat kryesore të ekonomisë së vendit. Në këtë kontekst, përveç nxitjes së prodhimit vendas dhe eksporteve, gjykoj me vend dhe në rrugën e duhur strategjinë që po ndjek Ministria e Financave për financimin e borxhit publik me valutë të huaj në një periudhë të paktën afatmesme. Në anën tjetër, edhe gjetja e mjeteve të duhura dhe atraktive për joshjen e remitancave të emigrantëve është një strategji që duhet parë me prioritet nga kjo ministri. Kështu, në vend të kreditimit nga bankat private, duhet të shihet mundësia e emetimit të eurobondeve (letra me vlerë të borxhit në valutë të huaj) në tregjet ndërkombëtare, duke u fokusuar ndoshta më tepër tek tregje specifike si Greqia apo Italia, ku emigrantët tanë jetojnë në masë dhe mund të investojnë kursimet e tyre që aktualisht janë të vendosura në bankat e vendeve respektive ku jetojnë. Gjithashtu, mendoj se ka ardhur koha që bankat duhet të fillojnë të aplikojnë kontrata të së ardhmes (future & forward) për transaksionet e biznesit në valuta të huaja. Kjo do krijonte mundësinë për shmangien e riskut të kursit të këmbimit në treg, duke ndikuar pozitivisht në stabilitetin financiar të vendit.
Së fundmi, për ta mbyllur duhet thënë që media duhet të tregohet mjaft e kujdesshme në trajtimin e çështjeve delikate që ndikojnë financat private dhe ato kombëtare, duke u dhënë më tepër kohë ekspertëve të sqarojnë publikun. Ndërkohë, publiku vetë duhet të jetë më i kujdesshëm në veprimet financiare që e shoqërojnë çdo ditë, pse jo duke marrë edhe këshillën e ekspertëve që njohin fushën duke mos u bërë pre e manipulimeve të padrejta të operatorëve të ndryshëm të tregut. Kursimet duhet t’i mbajnë në valuta të ndryshme (lek, euro, paund britanik, dollarë) duke krijuar një shpërndarje të riskut të këmbimit valutor. Ndërsa, kur vjen puna te kredimarrja, rregulli i artë mbetet gjithmonë në fuqi: Kreditohuni në atë valutë që keni të ardhurat....!!!!
*Pedagog Ekonomie
Universiteti Europian i Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›