E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doktori u "ngul" thiken aleateve

Teksa kryeministri Berisha festonte me tortë dje në Elbasan, aleatët e tij të vegjël ndjenin dhimbje të forta në Tiranë

Dita e verës u prishi punë dje partive të djathta në Shqipëri, të cilat prisnin me padurim të uleshin rreth një tryeze për të diskutuar se ç’qëndrim do të mbanin rreth reformës zgjedhore dhe propozimeve që vijnë nga e majta. Teksa partia kryesore e qendrës konservatore, PD, po akuzohet se në një flirt me të majtët po u heq oksigjenin e nevojshëm për mbijetesë disa satelitëve të vegjël, presioni i këtyre të fundit erdhi duke u rritur me anë të deklaratave që kërkonin që çdo vendim për trajtën që do të marrë kodi zgjedhor në Shqipëri të “pleqërohej” më parë brenda “familjes”. Një takim që do të mbahej pasditen e djeshme u paralajmëruar me bujë, por u anullua papritmas teksa kryeministri Berisha u pa t’i ngulte thikën “në zemër” një torte me portretin e tij në sfond blu në qytetin e ditës së verës, Elbasan. Dhimbjet e prerjes, sidoqoftë, u ndien të forta vetëm në Tiranë. Anullimi i papritur i tryezës së djathtë nga ana e kryeministrit Berisha i ka lënë të habitur aleatët. Takimi pritej të zhvillohej rreth orës 18 të ditës së djeshme në selinë e Qeverisë ku do të diskutonin rreth kërkesave të tyre për ndryshimin e sistemit zgjedhor të propozuar nga Partia Socialiste dhe të pranuar nga Partia Demokratike. Republikani Madhi edhe pse i shokuar, mundohet të justifikojë këtë ngjarje duke thënë se anullimi i tryezës së djathtë ka ardhur si pasojë e mbingarkesës së axhendës së kreut të ekzekutivit. Ai u mundua të ishte bindës kur siguroi se nuk ka asnjë prapaskenë në anullimin e takimit duke e cilësuar si kërkesë njerëzore këtë vendim. Ndërkohë, ai shpreh bindjen se tryeza do të zhvillohet shumë shpejt dhe të gjitha partitë e djathta do të diskutojnë rreth kërkesave të tyre për reformën zgjedhore. Nga ana tjetër, Ndoka, i PDK-së ishte disi më ekskplicit, kur e konsideroi anullimin e takimit të krerëve të partive të djathta si një paqartësi të PD-së në lidhje me diskutimin e reformës zgjedhore mes tyre. Lajmi për takimin e tryezës së djathtë ishte paralajmëruar dy ditë më parë nga ana e aleatit më të ngushtë të Berishës, republikanit Fatmir Mediu. Në mbledhjen e djeshme të tryezës së djathtë pritej që të kishte debate të ashpra mes krerëve të partive të koalicionit, ndërsa nuk do të mungonin edhe kërkesat e ndryshme nga krerët e partive rreth sistemit të ri zgjedhor.  Nga ana tjetër, kreu i mazhorancës ka shprehur bindjen e tij se në kampin e djathtë nuk ka asnjë kontradiktë, duke theksuar se takimi i planifikuar për ditën e djeshme, do të zhvillohet në ditët e ardhshme.  Edhe pse e ka anulluar takimin në mënyrë të papritur, Berisha nuk ka përcaktuar një datë të saktë se kur mund të mblidhet tryeza e së djathtës, duke i lënë aleatët në pritje të vendimit të tij për ti takuar ata. K.K.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›