E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, gati të likuidojë me 30 milionë euro ndërtuesit

Procesi Ministria e Financave: Brenda marsit shlyejmë të gjitha borxhet

Ndërtuesit do t’i marrin këstet e para të parave javën e ardhshme. Premtimi vjen nga ministri i Financave, i cili konfirmoi shumat që do të lëvrohen brenda këtij muaji. Ministri pranoi situatën e vështirë të krijuar në tre muajt e fundit mes ndërtuesve dhe Ministrisë së Punëve Publike e Transporteve, sa i takon shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, të shkaktuara nga volumi i madh i punës, kryesisht gjatë fushatës elektorale. “Jemi duke pritur listën nga Ministria e Punëve Publike, në mënyrë që të derdhim shumat. Në total janë 45 milionë euro, ku 30 milionë do t’i japim javën që vjen, kurse pjesa e mbetur më vonë. Pra, në muajin mars do të përfundojë i gjithë problemi me ndërtuesit”, tha ministri në “Ora News”.

Sa u takon firmave të ndërtimit, ato kishin paralajmëruar pezullim të punimeve deri në zgjidhjen e problemit. Në fakt ky ishte paralajmërimi zyrtar i shoqatës, por në realitet në shumë objekte ishin ndërprerë punimet, për shkak të mungesës së fondeve. Sipas ndërtuesve, janë të paktën 35 firma ndërtimi që kanë hyrë në situatë të vështirë financiare, por qeveria pretendonte të kundërtën. Mungesa e fondeve për të shlyer punët e bërë në projekte të ndryshme, kryesisht rrugë, po shkaktonte pasoja zinxhir në ekonomi, nga furnitorët e lëndës së parë e deri te punonjësit që nuk po merrnin pagat.

Pas zgjidhjes së këtij problemi, qeveria duhet të përballet me projektet e reja, të cilat kërkojnë financime të mëdha. Plani i reduktimit të shpenzimeve me rreth 250 milionë dollarë do të prekë edhe investimet, të cilat ishin planifikuar të zhvilloheshin këtë vit. Ndërkaq, Ministria e Financave ka nisur negociatat me donatorët për të gjetura financime për tri projektet e mëdha infrastrukturore Tepelenë-Berat, Tiranë-Elbasan dhe Rruga e Arbrit. Të tria këto projekte vlerësohen nga qeveria në masën 630 milionë euro, ku gjysma të paktën do të financohen nga bankat zhvilluese, pra donatorët si BERZH, BEI, BB apo Banka Islamike.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›