E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngrihen tre policët, gjuajtën gjashtë plumba. Si u vra Ahmet Bardhoshi

Ekspertiza e vrasjes në Kamzë, identifikohet autori tjetër

Përplasja me armë e policisë me dy hajdutë, ku mbeti i vrarë një prej tyre, është marrë në hetim nga SHKB-ja dhe momentalisht janë “ngrirë” tre efektivët, të cilët u përballën në shkëmbim zjarri. Menjëherë ka nisur një hetim i hollësishëm, ku paraprakisht rezulton se Ahmet Bardhoshi është vrarë nga plumbat e policisë. Megjithatë, deri tani ka fakte që policia ka kryer detyrën.

Përplasja me arm

Policia e Tiranës deklaroi zyrtarisht se rreth orës 00.30, në Kamzë, shërbimet e patrullës së përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, duke patrulluar në zonën pranë shkollës “Agrobiznes”, në momentin që i kanë bërë shenjë për të ndaluar dhe për t’iu nënshtruar një kontrolli rutinë, personat brenda në automjetin tip “Benz”, me targë TR 3854 G, nuk kanë ndaluar. Nga patrullat e policisë, personave në automjet u është bërë thirrje me sinjal zanor, fenelinë, por pasi kanë ndaluar mjetin, janë larguar menjëherë me vrap. Thirrjes së policisë “Ndal policia!”, një prej personave i armatosur, në moment i është përgjigjur me zjarr, duke qëlluar me armë në drejtim të patrullës së Përgjithshme të policisë. Të ndodhur përpara këtij sulmi, edhe patrulla e policisë i është përgjigjur zjarrit të armës, duke qëlluar në ajër. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes është gjetur i pajetë Ahmet Bardhoshi, 32 vjeç, kontingjent kriminal, i cili mbante të veshur një xhup ushtarak, në duar mbante doreza, si dhe një palë pinca të fshehur në trup. “Grupi i posaçëm hetimor kreu të gjitha veprimet e para hetimore e procedurale në vendin e ngjarjes, duke administruar të gjitha provat, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Nga veprimet e para hetimore rezulton se automjeti me të cilin udhëtonin këta persona ishte i vjedhur në zonën e Paskuqanit në pronësi të shtetasit Man Demiri, po kështu edhe një gjenerator elektrik, i cili ndodhej brenda në këtë mjet. Në vendin ku rezulton i vjedhur gjeneratori, u konstatua se autorët kanë tentuar të vjedhin edhe një automjet tjetër tip “Benz”, që ishte në pronësi të shtetasit Enkelejd Cali, ndodhur në zonën e Paskuqanit. Njëri prej personave mundi t’i largohej kapjes së policisë dhe nga strukturat e hetimit të krimit të policisë së Tiranës, po punohet nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e tij”, deklaroi zyrtarisht Policia e Tiranës.

Hetimet e SHKB-së

Por në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe efektivët e shërbimit të kontrollit të brendshëm, që në bashkëpunim me prokurorin kanë kryer një sërë hetimesh. Sipas të dhënave, pas thirrjes së policisë, dy personat nuk kanë ndaluar dhe kanë braktisur makinën, duke tentuar të largohen. Bashkëpunëtori i viktimës ka qenë i pajisur me pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të policisë. Në këtë kohë, policia është kundërpërgjigjur, që sipas SHKB-së është procedurë standarde. Në makinën e policisë ndodheshin tre efektivë, shoferi, përgjegjësi i grupit dhe një tjetër oficer. Shoferi ka qëndruar në makinë dhe dy të tjerët i janë kundërpërgjigjur zjarrit. Një nga efektivët ka qëlluar katër plumba, ndërsa tjetri vetëm dy. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe tri gëzhoja që mendohet se i përkasin bashkëpunëtorit të viktimës. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se viktima ka rënë me kurriz pas marrjes së një plumbi të vetëm. Sipas ekspertizës, plumbin e ka marrë në kurriz, nga poshtë lart. Ky plumb ka dalë në nofullën e poshtme të tij. Duke u nisur nga mënyra se si ka rënë viktima, me kurriz poshtë, rezulton se plumbi e ka kapur në ikje dhe ka qenë gjysmë i përkulur, që sjell dyshimet e para që mund të jetë vrarë nga efektivët e policisë. Por, ai rezulton se drejtimin e trupit e ka në një mënyrë të dyshimtë. Këmbët nga ana ku ishte policia dhe kokën nga ana ku ndodhej vatra tjetër e zjarrit, ku ishte bashkëpunëtori i tij, pasi viktima ndodhej mes dy vatrave, duke sjellë dyshime se ai mund të jetë vrarë edhe nga kolegu. Për këtë, ka dyshime edhe për shkak të gjurmëve të këmbëve, ku 32-vjeçari mund të ketë bërë lëvizje të pakontrolluara gjatë të shtënave. Megjithatë, kjo mund të vërtetohet vetëm pas ekspertizës së plumbit, pasi janë sekuestruar armët e tre punonjësve të policisë dhe gëzhojat e armës së personit, ende të paidentifikuar. Më tej, SHKB-ja deklaroi se identifikimi i tij është bërë nga një agjent terreni, i cili e kishte kontingjent, për arsye se me vete nuk kishte asnjë dokument identifikimi. SHKB-ja deklaroi se nga hetimet ka të dhëna të besueshme për autorin tjetër të ngjarjes dhe se arrestimi i tij mund të jetë në një kohë të shkurtër. SHKB-ja tha se përgjithësisht mendohet se efektivët e policisë kanë kryer detyrën në zbatim me gjithë procedurat që u lejohet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›